Ushtria izraelite ka vrarë 77 palestinezë në sulmet e fundit të kryera kundrejt Rripit të Gazës.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, mësohet se shumë persona në rajone të ndryshme të Gazës kanë humbur jetën në sulmet që Izraeli ka kryer nga ajri, toka dhe deti.

Të paktën 12 palestinezë humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën për shkak se forcat izraelite shënjestruan një shtëpi në afërsi të kompleksit mjekësor Al-Shifa në qytetin e Gazës.

Gjithashtu shumë palestinezë u plagosën pasi forcat izraelite vendosën në objektiv xhaminë Al-Noor në lagjen Al-Sabra në qytetin e Gazës.

Anijet luftarake të ushtrisë izraelite bombarduan qytetin e Gazës dhe pjesën veriore të Rripit të Gazës, ndërsa avionët luftarakë dhe obusët shënjestruan kampin e refugjatëve Jabalia dhe vende të ndryshme në veri të Gazës.

Po ashtu informohet se është rritur në 8 numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e shënjestrimit nga ushtria izraelite të një shtëpie që i përket familjes Al-Kadhmi në qytetin Khan Younis në jug të Gazës.

Forcat izraelite kryen bastisje me tanke edhe përreth spitalit Nasser në Khan Younis.

Ndërsa edhe obusët e ushtrisë izraelite bombarduan zonën përreth spitalit Al-Amal të Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze në qytet dhe gjithashtu bombarduan shtëpitë në jug të qytetit.

Më tej bëhet e ditur se avionët luftarakë izraelitë kryen sulme ajrore ndaj qytetit Deir Al-Balah në pjesën qendrore të Gazës.

Burimet e shëndetësisë theksuan se me sulmet e Izraelit janë vrarë 77 palestinezë dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë./aa