Presidenti turk e ka cilësuar si “Fuhrer” kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke iu referuar luftës së Gazës, gjatë ceremonisë së dorëzimit të katër anijeve të reja luftarake në marinën turke.
“Organizatat përgjegjëse për garantimin e sigurisë globale kanë dështuar, janë bërë të vetëkënaqur dhe kanë humbur ndjeshëm besueshmërinë e tyre. Ata thjesht qëndruan për të parë barbarinë në kufi me gjenocidin e Fuhrer Netanyahut modern dhe grupit të tij gjakatar, i cili është plot urrejtje kundër popullit palestinez”, tha presidenti turk.
Më herët ai deklaroi se “sot, ne të gjithë ndjekim ata që ofrojnë mbështetje të pakufizuar dhe të pakushtëzuar për qeverinë izraelite duke dërguar aeroplanmbajtëse në rajonin tonë. Ata që mbyllin sytë nga masakrat dhe mizoritë e kryera nga Izraeli, nuk do të jenë në gjendje të shfajësojnë veten nesër thjesht duke shprehur pendimin e tyre”.
“Ata që morën jetën e gati 25 mijë banorëve të pafajshëm të Gazës, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, sigurisht që do të përballen me pasojat e veprimeve të tyre. E thënë troç, vendet perëndimore dhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë nuk e kanë kaluar testin për çështjen e Gazës, nuk kanë më asnjë besueshmëri. Është zbuluar fytyra fashiste e atyre që hiqen si mbrojtës të demokracisë”, shtoi ndër të tjera Rexhep Tajip Erdogan.
“Ata që japin certifikatat e respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut majtas e djathtas nuk i shohin fëmijët, foshnjat dhe gratë që janë vrarë brutalisht për 105 ditë dhe nuk kanë bërë asnjë hap për të parandaluar këtë vuajtje. Ashtu si në Irak, Bosnjë, Siri, Jemen, Arakan, Somali dhe Afganistan, institucionet përgjegjëse për garantimin e sigurisë globale kanë dështuar dhe kanë humbur ndjeshëm besueshmërinë e tyre”, përfundoi presidenti turk, duke i kthyer shigjetat kundër vendeve që mbështesin Izraelin. /tesheshi.com/