Në varrezat e Qendrës Përkujtimore të Srebrenicës, Potoçari, u krye falja e xhenazes dhe varrimi i 14 viktimave të gjenocidit të kryer në verën e vitit 1995 në zonën e Srebrenicës.

Mijëra njerëz mbërritën në Potoçari mëngjesin e sotëm, ku bënë nderimet e tyre për viktimat e gjenocidit të kryer kundër meshkujve boshnjakë në vitin 1995.

Namazin e xhenazes në Potoçari e udhëhoqi Husein ef. Kavazoviq, kreu i Bashkësisë Islame në Bosnje dhe Hercegovinë.

Pas faljes së xhenazes, familjarët, miqtë dhe fqinjët i bartën arkivolet në vendin e varrimit.

Viktima më e re që u varros në funeralin kolektiv këtë vit është 17-vjeçari Beriz Mujiq, i lindur në vitin 1978 në Zvornik. Eshtrat e tij u gjetën 28 ​​vjet pas vdekjes, ato u zhvarrosën vetëm vitin e kaluar, në maj 2023. Ai u vra në korrik të vitit 1995 dhe u varros pranë vëllait të tij, Hazimit.

Viktima më e vjetër që u varros sot në është Hamed Saliq, i lindur në vitin 1927. Ishte 68 vjeç kur u zhduk në verën e vitit 1995 në zonën e Zhepës. Eshtrat e tij u zhvarrosën në maj 2014.

Këtë vit u varrosën gjithashtu edhe vëllezërit Hasib dhe Qamil Efendiq. Eshtrat e tyre u zhvarrosën nga varre të ndryshme në zonat në Srebrenicë, Kula dhe Potoçari në 2011 dhe 2006. Paqjen e fundit këtë vit e gjetën me vëllain e tretë Edhem, i cili u varros në Potoçari në vitin 2007.

Më 11 korrik të këtij viti në varrezat e Qendrës Memoriale në Srebrenicë, Potoçari, u varrosën: Hasib Efendiq, i lindur 1931, Qamil Efendiq, i lindur 1928, Mehmed Kërxhiq, i lindur 1961, Sabri Omiq, i lindur 1966, Mushan Shiljkoviq, i lindur 1956, Sakib Harbash, i lindur 1975, Beriz Mujiq, i lindur 1978, Ahmet Jashareviq, i lindur 1971, Nevres Salihoviq i lindur më 1970, Ibrahim Salkiq, i lindur 1935, Mid’hat Basiq, i lindur 1973, Hajdin Mustafiq, i lindur 1959, Latif Manxhiq, i lindur 1964 dhe Hamed Saliq, i lindur më 1927.

Qendra Memoriale e Tuzlës mban eshtrat e 11 viktimave të tjera të gjenocidit që deri më tani janë identifikuar nga ADN-ja, por familjet ende nuk kanë dhënë pëlqimin për varrim, kryesisht për shkak se trupat nuk janë të plotë.

Qendra Memoriale Potoçari u hap zyrtarisht më 20 shtator 2003 nga ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton. Deri më tani, 6.751 viktima të gjenocidit janë varrosur në këtë qendër përkujtimore, ndërsa 250 viktima janë varrosur në varrezat lokale me vendim të familjarëve të mbijetuar.

Viktimat vijnë nga komuna të ndryshme, shumica prej tyre nga zonat e Srebrenicës, Bratunacit, Vlasenicës, Zvornikut dhe Miliqit. Viktimat e gjenocidit janë gjetur në 150 lokacione të ndryshme, 77 prej të cilave janë varre masive. Viktima më e re e varrosur deri më tani në Potoçari është e porsalindura Fatima Muhiq, ndërsa më e vjetra është Shaha Izmirliq, e lindur në vitin 1901.

Më shumë se një mijë viktima të gjenocidit janë ende të zhdukur.

Vendimet gjyqësore

Gjykata e Hagës, Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe gjyqësori në Serbi dhe Kroaci deri më tani kanë dënuar gjithsej 54 persona me gjithsej 781 vjet burgim, si dhe pesë burgime të përjetshme për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë në korrik 1995.

Ratko Mlladiq, Radovan Karaxhiq, Zdravko Tolimir, Vujadin Popoviq dhe Ljubisha Beara u dënuan me burgim të përjetshëm për gjenocid, ndërsa Radislav Kërstiq dhe Drago Nikoliq u dënuan me 35 vjet burg.

Gjykata e Bosnje dhe Hercegovinës dënoi 27 persona me gjithsej 446 vjet burg për gjenocid dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë.

Përveç kësaj, dhjetë të pandehur të akuzuar për gjenocid dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë janë aktualisht të pakapshme për drejtësinë në BeH./aa