Rritja e numrit të fluturimeve me kosto të ulët dhe opsionet e akomodimit kanë hapur gamën e mundësive për udhëtarët që kërkojnë të zbulojnë destinacione më autentike dhe më pak të mbushura me vizitorë, shkruan Vicky Vilches në një artikull të botuar në të përditshmen spanjolle “El Debate”.
Në një vit që premton të thyejë të gjitha rekordet për nga numri i udhëtarëve, tregues të ndryshëm të sektorit të turizmit në nivel global, konfirmojne se vendet e të ashtuquajturës Evropa Lindore janë destinacionet më në trend, veçanërisht për udhëtarët spanjollë, për shkak të afërsisë gjeografike.
Avantazhi i tyre është se në mungesë të turizmit gjatë dekadave të fundit, këto vende kanë ruajtur më mirë brigjet, plazhet dhe hapësirat e tjera natyrore, duke e bërë udhëtarin të ndihet si një pionier në një botë ku duket se ka pak gjëra për të zbuluar. Shqipëria është një nga destinacionet kryesore të viteve të fundit, e kthyer në një nga yjet në zhvillim.
E panjohur, plot pasuri natyrore dhe me ndikime kulturore nga Lindja dhe Perëndimi, Shqipëria rrethohet nga Ballkani dhe Alpet, brigjet e lagura nga Adriatiku dhe Joni.
Vendi ofron çmime konkurruese dhe tashmë aksesohet më shpejt se kurrë, falë fluturimeve direkte nga Madridi dhe Barcelona që nga viti i kaluar.
Tirana është një qytet i gjallë dhe ka avantazhin e të paturit të një historie të pasur në të cilën mund të shihen si gjurmët e gjata osmane ashtu edhe prania latine. Riviera shqiptare po fiton terren, duke tërhequr vëmendjen e udhëtarëve të huaj.
Nuk është Côte d’Azur në Itali, dhe çmimet nuk janë ato të Monakos, por pa dyshim që plazhet e saj janë pafundësisht më të mira, me limane vërtetë si nëpër ëndrra dhe shkëmbinj mahnitës.