Ministri kroat i Punëve të Jashtme dhe Evropiane, Gordan Grlic Radman, ka deklaruar se Ballkani Perëndimor duhet të mbetet në fokusin e vëmendjes së Bashkimit Evropian (BE).

"Kushtet gjeopolitike po bëhen gjithnjë e më të vështira dhe për këtë arsye angazhimet tona të sigurisë ndaj Ukrainës duhet të mbeten të forta. Vendosja e paqes në Evropë është shumë e rëndësishme dhe prioritet", tha Radman para fillimit të takimit të ministrave të jashtëm të BE-së që po mbahet në Bruksel.

Duke njoftuar se do të kenë takime të rëndësishme me zyrtarët që do të marrin pjesë në takim nga Lindja e Mesme, Radman theksoi se do të bëjë thirrje për uljen e tensionit në rajon dhe për dërgimin e më shumë ndihmave për Gazën.

"Unë gjithashtu do të shpreh mbështetjen tonë të fortë për ringjalljen e procesit të paqes", shtoi ai.

Radman po ashtu tha se në takim do të flasë edhe për rrugën e Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE.

“Ballkani Perëndimor duhet të mbetet në fokusin e vëmendjes së BE-së”, theksoi ai.

Më tej, shefi i diplomacisë kroate njoftoi se kryeministri i vendit të tij, Andrej Plenkoviç, kryeministri i qeverisë së përkohshme holandeze, Mark Rutte dhe presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, nesër do të realizojnë një vizitë zyrtare në Bosnjë e Hercegovinë dhe në kuadër të kësaj vizite do të inkurajohet procesi i reformave në vend që në mars të fillojnë negociatat për anëtarësimin e Bosnjë e Hercegovinës në BE./aa