Nga data 1 janar qytetarët kosovarë u liruan nga izolimi i udhëtimeve në shtetet evropiane.
Duke qenë se biletat përmes linjave të autobusëve janë shumë më të lira krahasuar me ato të aeroplanëve, shumë kosovarë kanë zgjedhur të udhëtojnë përmes stacionit të Prishtinës drejt shteteve evropiane.
“Gjermania, Sllovenia, Zvicra, Belgjika, janë shtetet ku ka më së shumti linja me autobusë nga Prishtina gjatë këtyre ditëve”, shprehet Shqipe Durmishi, zëdhënëse e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë.
Krahasuar me vitin 2023, këtë vit ka rritje, siç thotë ajo, graduale, të linjave ndërurbane dhe ndërkombëtare.
“Kostoja më e lirë e transportit rrugor gjithashtu edhe benefitet e bagazhit që po u ofrohen udhëtarëve po e rrisin edhe kërkesën për të udhëtuar me autobus”, shprehet ajo.
Numri më i madh i linjave për këtë fillimvit, sipas saj, janë ato nga Zvicra, Gjermania, Sllovenia dhe Belgjika.