Një prej ambienteve të konfiskuara në luftën ndaj krimit, do të vihet në dispozicion të Policisë së Kosovës për sezonin e pushimeve, por edhe për trajnime të përbashkëta me policinë shqiptare.

Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe homologu i tij nga Kosova, Xhelal Sveçla, të martën ishin në Vlorë, ku këqyrën nga afër ambientin e sekuestruar nga institucionet ligjzbatuese në luftën ndaj krimit. Strukturë, që do të vendoset në shërbim të policisë shqiptare dhe asaj të Kosovës për trajnime dhe pushime. Ambienti ka një sipërfaqe 3 089 metër katrorë në ndërtim dhe mbi 2 000 metra katrorë sipërfaqe rrethuese.

“Kemi marrë vendimin që pasuritë e konfiskuara në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të vendosen në përdorim të institucioneve shtetërore. Bashkë me ministrin e Brendshëm të Kosovës Xhelal Sveçla ishim në Vlorë ku shumë shpejt do të kemi një shtëpi të madhe pushimi dhe trajnimi për forcat e policisë”, shkruan Balla në rrjetet sociale, teksa poston dhe video nga vizita e kryer në ambientet në fjalë në Vlorë.

“Bashkë me Ministrinë e Brendshme të Kosovës do të investojmë ta kthejmë në një hotel të pushimeve të punonjësve të policisë së Kosovës dhe të Shqipërisë. Le të jetë ky një model i punëve që duhet të bëjmë së bashku”, tha Balla, i cili shtoi se gjatë dimrit zakonisht dy policitë bëjnë edhe kurse trajnimi. “Mund ta përdorim edhe për trajnimet”, tha më tej Balla.

“Gjëja e parë është që duhet një arkitekt që të vlerësojë se si do modelohet për punonjësit e Policisë së Shtetit”, tha Balla.

“Me autobusë policët nisen nga Prishtina, për tre orë janë në Tiranë. Për katër orë e gjysmë në Vlorë. Nisen të premten në mëngjes, vijnë pushojnë nga e premtja në të dielën pasdite dhe nisen sërish drejt Prishtinës”,  përfundoi Balla Balla.

“Patjetër, duhet të shijojnë edhe punonjësit e Policisë pak pushim. Jo vetëm aksione të përbashkëta”, tha Sveçla, duke iu përgjigjur Ballës.