Agjencia e Prokurimit Publik solli në vëmendjen e institucioneve ndryshimet e fundit ligjore që u publikuan në Fletoren Zyrtare për ligjin e prokurimeve publike.

Ndryshimet hyjnë në fuqi nga data 20 mars.

Qëllimi i këtij ligji është të përmirësojë kuadrin rregullator të prokurimit publik në Shqipëri, duke synuar përafrimin e mëtejshëm me direktivat e BE, si dhe adresimin e disa problematikave të dala gjatë zbatimit të këtij ligji në praktikë nga autoritetet kontraktore dhe operatorët ekonomikë, me qëllim lehtësimin e procesit të prokurimit për të gjitha palët e përfshira në të.

“Procedurat e prokurimit të nisura përpara datës 20 mars 2024 do të vijojnë të realizohen sipas parashikimeve të ligjit në fuqi në momentin e fillimit/nisjes së tyre. Ndërsa, procedurat e prokurimit, që do të nisin (me nxjerrjen e urdhrit të prokurimit) në datë 20 mars e në vijim, do t’i nënshtrohen parashikimeve të reja ligjore”, thuhet në njoftimin e APP.

Ndër pikat kryesore të ligjit të ndryshuar janë parashikimi për herë të parë i konceptit të veprimtarive ndihmëse dhe ofruesit të shërbimit të prokurimit; shfuqizimi i llojit të procedurës së prokurimit “shërbim konsulence”, si një procedurë, që nuk përcaktohet nga direktivat e BE; përcaktimi i konceptit të Urdhrit të Prokurimit në përkufizimet e ligjit, si moment procedural për nisjen e një procedure prokurimi; rishikimi i nenit të Konfliktit të Interesave, duke parashikuar edhe rastin e marrjes së masave në rast të evidentimit të tij gjatë zbatimit të kontratës; rishikimi i kompetencave të Agjencisë së Prokurimit Publik të parashikuara në nenin 23 të ligjit, lidhur me monitorimin e kontratave, administrimin e bazës së të dhënave, si dhe rasteve të përjashtimit të operatorëve ekonomikë nga e drejta për të fituar kontrata publike; saktësimi i rasteve se, kur një autoritet ose ent kontraktor raporton pranë APP lidhur me tërheqjen e operatorëve ekonomikë; apo parashikimin si kriter detyrues për skualifikim i rastit kur, operatorët ekonomikë nuk kanë të regjistruar pronarët përfitues në regjistrin e pronarëve përfitues.

Në ndryshimet ligjore parashikohet një raportim i vetëm në përfundim të kontratës, në të cilin autoritetet kontraktore do të pasqyrojnë të gjitha të dhënat mbi ecurinë e zbatimit të kontratës, modifikimi/et e kryera, problematikat e hasura gjatë zbatimit të kontratës dhe masat e marra për zgjidhjen e tyre (pra, edhe të dhënat që dërgoheshin nga raportimi i ndërmjetëm)./ata