Parlamenti i Turqisë votoi sot në mbrëmje në favor të pranimit të Suedisë në NATO, duke hequr pengesën e gjatë për vendin nordik për t’u bashkuar me aleancën ushtarake perëndimore.
Miratimi i Turqisë e lë Hungarinë si të vetmin anëtar të NATO-s që ende nuk ka ratifikuar pranimin e Suedisë.
Çdo anëtar i NATO-s duhet të japë dritën jeshile që Suedia të mund të anëtarësohet.
Kërcënimi i agresionit të mëtejshëm rus në dritën e luftës në Ukrainë nxiti Suedinë dhe Finlandën të kërkonin të anëtarësoheshin në NATO.
Finlanda u bashkua me NATO-n në prill të vitit të kaluar, por kërkesa e Suedisë ka qenë më e komplikuar.
Erdogan e lidhi miratimin e vendit të tij me dorëzimin e avionëve luftarakë F-16 nga SHBA-ja, ndër të tjera. Kongresi amerikan nuk e ka miratuar ende shitjen e avionëve në Turqi.
Turqia vonoi ratifikimin për më shumë se një vit për shkak të mbështetjes së supozuar të Stokholmit ndaj grupeve që Ankaraja i etiketon si “terroristë”, kryesisht duke iu referuar Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) e ndaluar.
Në tetor, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i kërkoi parlamentit të nisë procesin e votimit për Suedinë pasi Stokholmi forcoi legjislacionin e tij kundër terrorizmit.
Përsa i përket Turqisë, pasigurisë i është dhënë fund me votën në parlament, ku AKP-ja islamike-konservatore e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, në aleancë me ultra-nacionalistët, ka shumicën.
Votimi duhet të publikohet në Gazetën Zyrtare me firmën e Erdoganit në mënyrë që vendimi të jetë zyrtarisht i përfundimtar.
Më herët, kryeministri hungarez Viktor Orbán tha se kishte dërguar një letër duke ftuar homologun e tij suedez, Ulf Kristersson, për të diskutuar kërkesën e anëtarësimit të Suedisë në NATO./ata