Presidenti i SHBA-së, Joe Biden tha se "dëmet ndaj civilëve në zonat me popullsi të dendur në Bejrut duhet të minimizohen" gjatë bisedës telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.

Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se në bisedën telefonike mes Bidenit dhe Netanyahut mori pjesë edhe zëvendëspresidentja Kamala Harris.

Në bisedën ku u theksua angazhimi i SHBA-së për sigurinë e Izraelit, Biden i potencoi Netanyahut se është e nevojshme një "zgjidhje diplomatike" në mënyrë që libanezët dhe izraelitët të mund të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre përgjatë "Vijës së kaltër".

Biden gjithashtu tërhoqi vëmendjen për rëndësinë e minimizimit të dëmeve ndaj civilëve, veçanërisht në zonat me popullsi të dendur të Bejrutit.

Gjatë bisedës Biden dhe Netanyahu deklaruan se diplomacia duhet të fillojë sërish punën për një armëpushim në Gaza, ndërsa Biden vuri në dukje situatën humanitare në Gaza dhe theksoi rëndësinë e rifitimit të qasjes në veri të rajonit.

 

- Shtëpia e Bardhë: Biseda 30-minutëshe ishte produktive

Duke bërë vlerësime në konferencën për media në lidhje me bisedën Biden-Netanyahu, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre vuri në dukje se "takimi ishte i drejtpërdrejtë dhe produktiv".

Ajo tha se biseda ka zgjatur rreth 30 minuta duke mos hyrë në shumë detaje. "Natyrisht që në bisedën mes presidentit dhe kryeministrit izraelit janë diskutuar shumë çështje. Së shpejti do të japim një deklaratë me shkrim. Do të vazhdojmë të bisedojmë me Izraelin se si do t'i përgjigjen sulmit të fundit të Iranit", tha Jean-Pierre.

Zëdhënësja Jean-Pierre u përmbajt nga komentimi i librit të Bob Wodward, që do të dalë në treg në SHBA më 15 tetor dhe i cili përmban pretendimet se Biden ka përdorur fjalë fyese për Netanyahun pas dyerve të mbyllura. E pyetur nëse Biden përdori gjuhë fyese ndaj Netanyahut, Jean-Pierre u përgjigj: "Unë nuk mund të konfirmoj asgjë".

Lidhur me opinionin e saj për bisedën telefonike të ish-presidentit amerikan Donald Trump me Netanyahun, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se nuk do të komentonte as për këtë çështje.

Theksohet se Netanyahu dhe Biden, për të cilët thuhej se ka patur "ftohje mes tyre", kanë folur në telefon për herë të parë pas rreth 2 muajsh. Zyrtarë të paidentifikuar që folën për "Walla", pretenduan se ata prisnin që hakmarrja e Izraelit të ishte "e rëndësishme" dhe se krahas sulmeve ajrore ndaj objektivave ushtarake në Iran mund të përfshinte edhe një seri atentatesh.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant planifikonte të udhëtonte në SHBA në kuadër të një vizite njëditore. Por, u raportua se Netanyahu nuk donte që Gallant të largohej për vizitën e tij në Washington pa folur me Bidenin në telefon.

Pas këtij lajmi u tha se vizita e ministrit Gallant në SHBA është shtyrë për shkak të kërkesave të Netanyahut në një datë të papërcaktuar./aa