Sekretari i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, do të vizitojë Lindjen e Mesme dhe Türkiyen për “të nxitur liderët rajonal të punojnë me Mbretërinë e Bashkuar për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza”.

Zyra e Jashtme dhe Komonuelthit tha se Cameron, i cili po udhëton në rajon për herë të tretë në dy muajt e fundit, do të kërkojë mbështetje për lirimin e pengjeve dhe për të arritur një “armëpushim të qëndrueshëm dhe të përhershëm”.

“Këtë javë, sekretari i jashtëm udhëton në Lindjen e Mesme dhe Türkiye, ku ai do t’i nxisë liderët rajonal të punojnë me Mbretërinë e Bashkuar për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza, në mënyrë që izraelitët dhe palestinezët të mund të ndërtojnë një të ardhme paqësore së bashku. Askush nuk dëshiron ta shohë këtë konflikt të zgjasë në një moment më të gjatë se sa duhet. Tani është e nevojshme një pauzë e menjëhershme për të dërguar ndihmën dhe për të dalë pengjet. Situata është e dëshpëruar”, tha Cameron para udhëtimit të tij në rajon.

Ai u shpreh se këtë javë do të angazhohet në Lindjen e Mesme duke punuar me “partnerë për të ndihmuar në ndërtimin e një plani për të kaluar nga ajo pauzë në një armëpushim të qëndrueshëm dhe të përhershëm pa kthim në armiqësi”.

Ai shtoi se një plan i tillë do të kërkonte që “Hamasi të binte dakord për lirimin e të gjitha pengjeve, të mos jetë më përgjegjës për sulmet me raketa nga Gaza në Izrael dhe për një marrëveshje në fuqi që Autoriteti Palestinez të kthehej në Gaza në mënyrë që të ofrojnë qeverisje dhe shërbime, si dhe gjithnjë e më shumë siguri”.

Cameron po ashtu do të vizitojë Izraelin për të folur me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Israel Katz, “duke u bërë thirrje për të bërë më shumë dhe më shpejt për rritjen e ndjeshme të rrjedhës së ndihmave për të shpëtuar jetën në Gaza”.

“Ai gjithashtu pritet të ngrejë shqetësimet e Mbretërisë së Bashkuar për numrin e lartë të viktimave civile”, tha ai.

Cameron do të “përsëritë se më shumë pika kalimi duhet të jenë të hapura për më gjatë për dërgesat e ndihmave në Gaza, duke përfshirë portin Ashdod dhe vendkalimin Kerem Shalom, si dhe uji dhe energjia elektrike duhet të rikthehen gjatë takimeve të tij”.

Ai gjithashtu do të takohet me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas dhe do të “theksojë mbështetjen afatgjate të Mbretërisë së Bashkuar për një zgjidhje me dy shtete, në mënyrë që izraelitët dhe palestinezët të jetojnë krah për krah në paqe”.

Më pas, thuhet në njoftim, Cameron do të udhëtojë në Katar dhe Türkiye./aa