Pas miratimit në Kuvend dhe betimit tek presidenti, Bajram Begaj, qeveria ka përcaktuar dhe fushën e përgjegjësisë shtetërore të ministrisë së re të qeverisë Rama, atë të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit që do të drejtohet nga Blendi Gonxhja
Ministria e Ekonomisë do të menaxhojë disa fusha të rëndësishme të tilla si Sigurimet Shoqërore, Arsimin Profesional, strehimin e punësimin, nxitjen e investimeve por dhe administrimin e pronës shtetërore, mbështetjen e partneritetit publik privat apo dhe regjistrimin dhe licencimin e operatorëve ekonomikë.
Lidhur me fushën e kulturës harton dhe bashkërendon punën për politikat në fushën e artit e të kulturës, rijetësimit të vlerave e të trashëgimisë kulturore, nxitjes së investimeve, publike dhe private në këta sektorë, monitorimit të mënyrës së përdorimit të fondeve publike në mbështetje të zhvillimit kulturor, si dhe për formimin në vazhdim për të licencuarit në pasuritë kulturore materiale.
Sa i takon inovacionit synon krijimin e mekanizmave institucionalë koordinues ndërmjet shkencës, sektorit privat dhe politikëbërjes. Një vëmendje e madhe do të jetë rritja e cilësisë së shërbimeve në çdo sektor publik si dhe lehtësimin e ofrimit të shërbimeve publike.
Funksionet e “Ekonomisë” iu bashkuan Ministrisë së Financave pas zgjedhjeve të vitit 2017, ku ministër në atë kohë ishte Arben Ahmetaj. 7 vite më pas, në fillim të këtij viti Kryeministri Edi Rama riformatoi qeverinë duke krijuar ministrinë e re.
Në Fletore Zyrtare është përcaktuar konkretisht se ku ushtron veprimtarinë e saj.
3. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ushtron veprimtarinë në këto fusha përgjegjësie shtetërore, në përputhje me legjislacionin përkatës:
3/1. Lidhur me fushën e ekonomisë:
a) strehimin
b) punësimin;
c) sigurimet shoqërore;
ç) arsimin dhe formimin profesional;
d) marrëveshjet e tregtisë së lirë;
dh) nxitjen e investimeve;
e) administrimin e pronës shtetërore;
ë) mbështetjen e partneritetit publik privat;
f) regjistrimin dhe licencimin e operatorëve ekonomikë;
g) shërbimin e akreditimit dhe standardizimit;
gj) mirëmbajtjen, kalibrimin dhe inspektimin e mjeteve matëse;
h) pronësinë industriale;
i) mbrojtjen e pronësisë intelektuale;
j) mbrojtjen e konsumatorëve;
k) zonat ekonomike dhe teknologjike;
l) ndihmën shtetërore dhe garancitë shtetërore.
3/2. Lidhur me fushën e kulturës:
a) harton dhe bashkërendon punën për politikat në fushën e artit e të kulturës nëpërmjet edukimit të popullsisë, rijetësimit të vlerave e të trashëgimisë kulturore, nxitjes së investimeve, publike dhe private në këta sektorë, monitorimit të mënyrës së përdorimit të fondeve publike në mbështetje të zhvillimit kulturor, edukimit në kulturë, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ruajtjes dhe vijimësisë së traditës së harmonisë fetare në kulturën shqiptare, si dhe të bashkëpunimit rajonal;
b) harton politikat mbrojtëse dhe promovuese për trashëgiminë kulturore, materiale ose shpirtërore, si dhe krijimin e hapësirave të nevojshme ligjore e mbështetëse për ruajtjen dhe kultivimin e kulturës së shkruar, për krijimtarinë artistike në përgjithësi, si dhe për të promovuar arritjet e kulturës shqiptare e për të rritur konkurrencën e produktit shqiptar kulturor përtej kufijve;
c) harton politika për ekzistencën e Shqipërisë, si një partner aktiv në organizatat ndërkombëtare, evropiane dhe rajonale, në fushën e artit e të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, nëpërmjet aderimit në institucionet përkatëse;
ç) udhëheq, programon dhe mbështet veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare, me qëllim identifikimin dhe zhvillimin e tendencave kulturore, artistike e letrare brenda vendit, si dhe përfshirjen e ballafaqimit të vlerave më të mira kombëtare me ato rajonale, si ato të trashëguara edhe ato bashkëkohore e krijimin e një hapësire dialogu mbarëshqiptar e të diversitetit kulturor;
d) realizon regjistrimin, mbikëqyrjen dhe monitoron respektimin e të drejtave të autorëve dhe të drejtave të tjera të lidhura me to nga subjektet, personat fizikë/juridikë, privatë a publikë, përdorues të pronësisë letrare, artistike e shkencore;
dh) zhvillon politika për nxitjen e investimeve për pasuritë kulturore, siguron mbështetje financiare nëpërmjet Fondit Kombëtar të Kujdesit për Trashëgiminë Kulturore, qendrat art e zeje në shkolla, si dhe për formimin në vazhdim për të licencuarit në pasuritë kulturore materiale.
3/3. Lidhur me fushën e inovacionit:
a) synon dhe mundëson stimulimin e aktiviteteve inovative, të cilat do rrisin produktivitetin ekonomik dhe institucional përmes zhvillimit të teknologjisë informative dhe bashkëpunimit efikas;
b) identifikon koncepte, procese novatore dhe teknika të reja, kryen studime dhe analiza krahasuese
për politikat në nivel rajonal e botëror për të analizuar të dhënat në kuadër të hartimit apo zbatimit të politikave qeveritare, me qëllim zhvillimin dhe hartimin e analizave strategjike, që mundësojnë zbulimin e mundësive të reja të inovacionit;
c) orienton:
i. promovimin e inovacionit dhe të teknologjisë informative në shërbim të rritjes ekonomike dhe zhvillimit;
ii. zhvillimin e bashkëpunimit përmes programeve të trajnimit/ konsulencës;
iii. konsolidimin e fondit për shërbimet innovative për përkrahje të sektorëve zhvillimorë të ekonomisë;
iv. krijimin e mekanizmave institucionalë koordinues ndërmjet shkencës, sektorit privat dhe politikëbërjes.
ç) në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, harton, zhvillon dhe monitoron, politikat shtetërore dhe strategjitë për:
i. sigurimin e standardeve në ofrimin e shërbimeve publike;
ii. rritjen e cilësisë së shërbimeve në çdo sector publik;
iii. lehtësimin e ofrimit të shërbimeve publike;
iv. rritjen e efektivitetit të shërbimeve për të garantuar aksesin e qytetarëve në marrjen e shërbimeve publike.