Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se po analizohet situata për të parë nëse është i nevojshëm vijimi i funksionimit të Bordit të Karburanteve në kushtet kur situata në tregjet e hidrokarbureve po shkon drejt normalizimit.

 

“Bordi i Karburanteve ishte objekt diskutimi në vitin e shkuar. Ky diskutim shkoi deri në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata vendosi të lërë në fuqi funksionimin e Bordit. I vetmi nen që nuk la në fuqi lidhej me shfuqizimin e Bordit që sipas Aktiv Normativ ishte një vendim që merrej nga vet Bordi në bazë të analizës së funksionimit dhe atë të çmimeve. Bordi në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të ketë një formë tjetër ligjore për mbylljen e aktivitetit të tij”, u shpreh ministrja gjatë një konference për shtyp të mbajtur mbi zhvillimet në ekonomi përgjatë 3-mujorit të parë të këtij viti.

 

Ministrja theksoi se Bordi shërbeu si instrument për mbajtjen nën kontroll të çmimit të karburanteve në një vit që ka pasur luhatje të mëdha.

 

“Situata e çmimeve në tregun e hidrokarbureve ka ardhur në normalizim. Jemi duke analizuar për të parë nëse duhet të vijojë të funksionojë ky Bord. Ka qenë një instrument, i cili ka ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të çmimit të karburanteve, në një vit që ka pasur luhatje të mëdha. Uroj që vërtet të jenë stabilizuar dhe situata e çmimeve në tërësi të shkojë në normalizim me qëllim që të dalim nga regjimi i Bordit dhe përcaktimit të çmimeve dhe të rikthehemi në normalitetin e përcaktimeve nga tregu dhe kërkesë-oferta”, u shpreh Ibrahimaj.