Izraeli kërcënoi se do të sulmojë Libanin nëse grupi Hezbollah nuk tërhiqet nga zona kufitare në Libanin jugor.

Ministri i Jashtëm Israel Katz, gjatë një takimi me homologun e tij italian Antonio Tajani në Kudsin Perëndimor, i bëri thirrje qeverisë libaneze “të dëbojë Hezbollahun nga Libani jugor ose përndryshe Libani do të përballet me një goditje shkatërruese nga e cila nuk do të rimëkëmbet”.

Tensionet janë rritur përgjatë kufirit midis Libanit dhe Izraelit pas nisjes së ofensivës ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, e cila ka vrarë afro 25.700 njerëz pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme izraelite, Katz dhe Tajani kanë rënë dakord për rinovimin e aktivitetit të linjës ajrore italiane në Izrael, si dhe rritjen e bashkëpunimit në fushën e energjisë dhe turizmit.

Ministri italian, nga ana e tij, tha në “X” se ai është dakord me Katz “për të forcuar iniciativat e përbashkëta humanitare” për palestinezët në Gaza dhe shprehu gatishmërinë e vendit të tij për të “trajtuar 100 fëmijë (të plagosur) nga Gaza në Itali”.

Në një postim tjetër në X mbi takimin e tij me presidentin izraelit Isaac Herzog, ai tha se vendi i tij mbështet zgjidhjen me dy shtete “si e vetmja mënyrë për paqen në Lindjen e Mesme”./aa