Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, i dorëzoi Talat Xhaferit mandatin për formimin e qeverisë teknike.

Në njoftimin e dërguar nga Zyra e Presidentit, thuhet se në bazë të nenit 84 të Kushtetutës, dhe në përputhje me nenin 43 të Ligjit për Qeverinë, presidenti i ka dorëzuar mandatin Xhaferit, i cili deri dje kishte postin e kryetarit të Kuvendit.

“Në bazë të nenit 84, paragrafit 1 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe në pajtim me nenin 43 të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe propozimin e partisë më të madhe politike që përbën shumicën qeveritare, i dorëzoj Talat Xhaferit mandatin për formimin e Qeverisë kalimtare për zbatimin e zgjedhjeve parlamentare”, tha presidenti Pendarovski.

Në anën tjetër, Xhaferi, i cili është mandatari i parë për formimin e qeverisë në Maqedoninë e Veriut nga komuniteti etnik shqiptar, ka theksuar se përbërja e qeverisë do të bazohet në Kushtetutë dhe ligje.

“Me kënaqësi dhe me përgjegjësi të plotë pranoj mandatin nga Presidenti i vendit, me një premtim se me ndërgjegje dhe në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës do të bëhet përbërja e qeverisë dhe negociatat për përbërjen e kësaj qeverie, në përputhje me nevojat politike dhe gjendjen e vendit”, tha Xhaferi.

Siç ishte paralajmëruar, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të parapara të mbahen më 8 maj të këtij viti, dje Dimitar Kovacevski dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, e më pas Talat Xhaferi dha dorëheqje nga posti i kryetarit të Kuvendit.

Më herët gjatë ditës, Jovan Mitreski ka bërë betimin dhe ka marrë postin e kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Këto zhvillime burojnë nga "Marrëveshja e Përzhinos", e arritur në qershor 2015, për zgjidhjen e krizës së atëhershme politike në vend. Sipas marrëveshjes, Qeveria e rregullt jep dorëheqje dhe 100 ditë para ditës së zgjedhjeve zgjidhet Qeveria teknike.

Dispozitat e Marrëveshjes së Përzhinos janë pjesë e Ligjit për Qeverinë, ku ndër të tjera janë paraparë disa pozita ministrore dhe zv/sministrore për opozitën.

Sipas marrëveshjes mes partnerëve qeveritarë LSDM dhe BDI, 100 ditët e fundit kryeministri duhet të jetë nga radhët e BDI-së. Kjo parti ka vendosur që mandatar i qeverisë teknike të propozojë pikërisht Talat Xhaferin, i cili për këtë arsye është dashur të japë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Kuvendit.

Në dhjetor 2023, liderët politikë në Maqedoninë e Veriut ranë dakord për datat e mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale është rënë dakord të mbahet më 24 prill 2024, ndërsa raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale së bashku me zgjedhjet parlamentare është rënë dakord të mbahet më 8 maj 2024.

Sipas paralajmërimeve, pritet që qeveria teknike të zgjidhet të dielën, më 28 janar./aa