Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se në fshatin Vranisht të Komunës së Dragashit, kanë mbyllur katër komuna paralele, ku sipas tij janë lëshuar kundërligjshëm dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit.
Siç ka njoftuar ministri Krasniqi nëpërmjet një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku mori pjesë edhe ministri brendshëm Xhelal Sveçla, këto "komuna paralele" kanë funksionuar që nga paslufta në Kosovë.
“Sot në fshatin Vranisht të Dragashit mbyllëm 4 komuna paralele që kanë operuar ilegalisht për gjithë këto vite. Në këtë fshat kundërligjshëm kanë vepruar dhe lëshuar dokumente për komunën e Prizrenit, Suharekës, Rahovecit dhe Dragashit. Nga sot ajo më nuk operon. Republika e Kosovës është shtet unitar dhe si e tillë nuk do të lejojë asnjë paralelizëm kundërkushtetues”, theksoi Krasniqi.
Krasniqi tha se këto objekte janë kundër juridiksionit të Republikës së Kosovës, derisa shtoi se “aktiviteti ilegal i strukturave paralele të Serbisë ka fund”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tha se në çdo cep të Republikës së Kosovës do të luftohet kriminaliteti, ilegaliteti dhe çfarëdo shkelje e ligjit.
“Në Republikën e Kosovës do të ketë organe legjitime të cilat do t’u shërbejnë gjithë qytetarëve pa asnjë dallim. Nuk ka vend për Serbinë, përveçse si kemi thënë edhe më herët, Ambasadës së saj në Prishtinë”, theksoi Sveçla.
Gjatë ditës së djeshme, Sveçla dhe Krasniqi morën pjesë po ashtu në një aksion në Komunën e Zveçanit, ku punëtorët e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës hoqën një billbord me motive serbe dhe ruse./aa