Thirrja për mbështetjen financiare të bizneseve rishtare, njohur si “Start Up”.

Në një intervistë në medie, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj tregon edhe mënyrat e tjera se di do t’i vihet në ndihmë bizneseve në vend.

“Nisma synon të mbështesë ide, synon të mbështesë start-up në fazat fillestare të jetës së tyre, por edhe start-up në faza pak më të avancuara, të cilat kanë më pak se 7 vite që operojnë. Gjithmonë me ide të reja, inovative”, theksoi ministrja Ibrahimaj.

Ministrja foli dhe për rolin e hapësirës më të re të hapur pranë ish-Piramidës e quajtur “Shtëpia e Biznesit”.

“Synon të jetë një hapësirë ku pa shumë burokraci, biznesi mund të vijnë, të shfaqin shqetësimet, të marrin informacion mbi nisma të përbashkëta dhe të mund të japim zgjidhje për problematika të ndryshme”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja u ndal dhe te reforma e derregullimit me anë të së cilës do iu vihet në ndihmë bizneseve.

“Të gjitha ato dokumente që ofrohen nga administrata shtetërore të merren “online” pa dashur që sipërmarrësit të duhet të trokasin fizikisht në institucionet shtetërore.”

Por më shumë se sa ndihma financiare apo mbështetja ligjore e qeverisë, biznesi në vend po ka sot nevojë jetike për punonjës. Për të zbutur sa më shumë krizën që o ndihet gjithandej, së shpejti pritet të vihet në zbatim formula “trajnim duke punuar, kundrejt pagesës”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

“Ne po mundohemi të krijojmë një instrument në të cilin kosto e trajnimit, por edhe paga që të punësuarit e rinj do të marrin për periudhën e trajnimit të ndahet mes qeverisë dhe biznesit”, deklaroi Ibrahimaj./ata