Rritja e yield-eve e bonove të thesarit është frenuar në ankandin e kësaj jave, pas vendimit të Bankës së Shqipërisë për të mbajtur të pandryshuar normën bazë të interesit.

Të dhënat e ankandit treguan se yield-i mesatar i ponderuar për bonot me maturim 12-mujor këtë javë shënoi nivelin 3.63%, nga 3.62% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm, në fund të muajit janar.

Shuma prej 12.5 miliardë lekësh e shpallur për financim nga Ministria e Financave nuk u plotësua e gjitha dhe kërkesat e paraqitura në ankand në total arritën në 12.44 miliardë lekë.

Ministria e Financave ka planifikuar një huamarrje intensive në muajt e parë të vitit dhe kjo ka bërë që në disa prej ankandeve tregu të mos i përgjigjet dot të gjithë nevojës për financim.

Në total, huamarrja e planifikuar për tremujorin e parë 2024 ka vlerën e 144.5 miliardë lekëve, në rritje me 19.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 dhe me pothuajse 80% krahasuar me tremujorin e fundit të vitit 2023. Vetëm në muajt janar dhe shkurt, Ministria e Financave parashikon të realizojë pothuajse 30% të volumit vjetor të huamarrjes për vitin 2024.

Kjo ka bërë që yield-et të shënojnë një tendencë të lehtë në rritje gjatë janarit dhe në pjesën e parë të muajit shkurt.

Megjithatë, Ministria e Financave i është përshtatur kërkesës së investitorëve dhe ka rritur shumën e financuar në ato ankande ku kërkesa ka qenë më e lartë. Kështu, në rihapjen e ankandit të obligacioneve 5-vjeçare që u zhvillua të hënën shuma e emetimit u rrit në 3.45 miliardë lekë, nga 3 miliardë lekë që ishte parashikuar, ndërkohë që vlera totale e kërkesave të paraqitura arriti në 6.9 miliardë lekë. Yield-i mesatar i ponderuar edhe për këto instrumente zbriti në 5.57%, nga 5.62% që kishte qenë në ankandin e mëparshëm.

Në nëntor të vitit të kaluar, Banka e Shqipërisë pati paralajmëruar një valë të re të rritjes së normave të interesit, sidomos për shkak të presioneve ende të larta inflacioniste të gjeneruara nga ekonomia e brendshme. Por, deri tani këto paralajëmrime u konkretizuan me një rritje të vetme të normës bazë, në muajin nëntor 2023.

Në vendimmarrjen e parë të politikës monetare për vitin 2024, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi javën e kaluar të mbajë përsëri të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3.25%. Ndërkohë, INSTAT raporti se inflacioni në muajin janar zbriti në 3.4%, duke prekur nivelin më të ulët në më shumë se dy vjet. Kjo rënie, deri diku e papritur duke parë tendencën e tremujorit të fundit 2023, për momentin justifikon mosshtrëngimin e mëtejshëm monetar nga Banka e Shqipërisë.

Megjithatë, ndoshta mund të jetë herët për ta interpretuar këtë rënie si një orientim të qëndrueshëm të inflacionit drejt objektivit prej 3%. Vetë Banka e Shqipërisë e parashikon rënien e inflacionit në objektiv në tremujorin e fundit të këtij viti.

Rritja e pagave në sektorin publik dhe kërkesa e lartë që pritet të gjenerojë turizmi mund të forcojnë përsëri presionet inflacioniste pas tremujorit të dytë të vitit, ndërkohë që edhe rreziqet nga tregjet e lëndëve të para ngelen ende të pranishme./Monitor