Ministria e Arsimit dhe Sporteve po përgatit një plan veprimi me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Vitin e Gjuhës, me fokus ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e gjuhës shqipe, duke nisur nga mësuesit dhe nxënësit e gjithë sistemit tonë arsimor.
Këtë e bëri të ditur Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në një takim të zhvilluar në Akademinë e Shkencave me studiues të gjuhës shqipe të Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë dhe anëtarë të Komisionit të përhershëm të gjuhësisë dhe letërsisë pranë Akademisë së Shkencave.
“Në këtë vit do të intensifikojmë përpjekjet tona për të ruajtur, mbrojtur, dhe promovuar gjuhën shqipe, jo vetëm në Shqipëri por edhe në mbarë botën, me një theks të veçantë në kontributin e vlerësuar të diasporës shqiptare. Ministria është e përkushtuar në intensifikimin e përpjekjeve në drejtim të fuqizimit të mësimdhënies së gjuhës shqipe, duke filluar që nga parashkollorët deri tek nivelit universitar. Në këtë kuadër, ne kërkojmë mbështetjen dhe bashkëpunimin e ngushtë të Akademisë së Shkencave me institucionet arsimore, duke angazhuar studiuesit e gjuhës shqipe për të kontribuar në këtë mision të përbashkët. Duhet një plan i ri veprimi, që synon jo vetëm të rrisë njohuritë dhe fjalorin e përdoruesve të gjuhës shqipe, por edhe të fuqizojë rolin e mësuesisë në këtë drejtim”, tha ndër të tjera në bisedën me akademikët e gjuhës, Ministrja Ogerta Manastirliu.
Kryetari i Akademisë së Shkencave, Skënder Gjinushi tha se të gjithë së bashku duhet ta shfrytëzojmë këtë vit për të rimarrë të gjitha problemet që lidhen me gjuhën dhe për të vendosur pastaj një bashkëpunim sa më të mirë institucional, midis katër komponentëve: Instituteve, Akademisë, Shkollave të larta dhe Ministrisë për të garantuar që gjuha shqipe të jetë në standardet më të larta.
“Shpallja e vitit 2024 si vit i gjuhës shqipe është një arsye plus për të shtuar vëmendjen ndaj saj dhe për të ndërmarrë nisma shkencore të reja, që, nga ana jonë, u shtohen tre projekteve madhore në albanologji: “Fjalorit të madh të shqipes”, që është në vitin përmbyllës; “Historisë së shqiptarëve”, që është dorëzuar për redaktim; dhe “Enciklopedisë shqiptare”, që tashmë është në fazë pune. Në këto tre projekte, në redaksi e si bashkautorë, janë të përfshirë mbi 200 studiues (vetëm nga Shqipëria dhe pa bashkëpunëtorët)”, u shpreh akad. Gjinushi.
Në fund të takimit Ministrja e Arsimit dh Sportit, Ogerta Manastirliu ftoi akademikët të bëhen pjesë dhe të kontribuojnë në nismat që tashmë ka marrë MAS si; Konkursi Kombëtar i Gjuhës Shqipe në shkolla, Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të mësuesve, si dhe në modernizimin e kornizës kurrikulare dhe rivlerësimin e programeve ekzistuese./ata