Viti i Ri do të vije më i gëzueshëm për dhjetëra familje në nevojë të Patosit, Fierit dhe Roskovecit, falë “Bankers Petroleum Albania”. 

Duke ndjekur traditën e përvitshme, edhe në këto festa të fund vitit, kompania më e madhe në vend që operon në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës në bashkëpunim me Bashkitë e Patosit, Roskovecit dhe Fierit, u kujdes të shpërndante 150 pako ushqimore për familjet në nevojë. 

Synimi i kompanisë “Bankers Petroleum” përmes këtyre ndihmave është të sjellë sadopak gëzim tek ata që janë të pamundur për të festuar dhe për të mbushur me ushqim tryezat e familjeve të varfra të Patosit, Roskovecit e Fierit, si një kartolinë urimi për natën e ndërrimit të viteve.

Shpërndarja e këtyre ndihmave në bashkëpunim me institucionin e bashkive është vetëm një prej aktiviteteve me karakter social që kompania “Bankers Petroleum” zhvillon për t’i ardhur në ndihmë banorëve të zonave ku edhe operon.