Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi priti sot në një takim, shefen e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Giulia Re.

Gjatë bisedës, Krasniqi bëri me dije angazhimet e reja të ndërmarra, si ndryshimet e propozuara ligjore në ligjin “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, që aktualisht janë hedhur për konsultim publik; aktivitetet e zhvilluara dhe të tjera që do të realizohen së shpejti, me përfaqësues të OSHMA-ve dhe agjencive të marketingut për nxitjen e matjes së audiencës; për luftën kundër piraterisë, si një fenomen shqetësues në tregun mediatik audioviziv etj.

Gjatë takimit, shefja e Zyrës së KiE-së në Tiranë shprehu interes mbi punën e bërë nga AMA për edukimin mediatik të publikut si dhe për frenimin e gjuhës së urrejtjes në media.

U ra dakord që, në një të ardhme të afërt, të organizohen aktivitete të përbashkëta, me qëllim trajtimin në një këndvështrim të ri, të luftës kundër gjuhës së urrejtjes.

Zyra e Këshillit të Europës në Shqipëri ka qenë gjithmonë një partner i rëndësishëm për AMA-n, qoftë në hartimin e Kodit të ri të Transmetimit, qoftë në projektin aktual me të cilin po punohet, atë të modernizimit të studios së monitorimit, për të cilin KiE po jep kontributin e vet me sugjerime për metodologjinë dhe planin e monitorimit.

Kjo do të ndihmojë në përmirësimin dhe rritjen e kapaciteteve të AMA-s për monitorim, bazuar në standardet e Bashkimit Europian./ata