Sikur të mos mjaftonte që euro shkakton shumë zhgënjim brenda Bashkimit Evropian, tani kjo monedhë po shndërrohet në një eksploziv politik edhe në Ballkanin Perëndimor, shkruan Suddeutsche Zeitung gjermane.
“Nëse afiniteti ndaj euros do të merrej si tregues (i orientimit pro-evropian), atëherë Kosova do të ishte aktualisht shteti më evropian nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, shkruan gazeta gjermane në një reportazh të titulluar “Lufta për dinarin”, duke kujtuar njëkohësisht se në Kosovë, si dhe në Malin e Zi fqinj, euron e përdorin si mjet pagese që nga viti 2002 (më parë kanë përdorur markën gjermane).
“Tani, megjithatë, qeveria e Kosovës planifikon të bëjë një hap të vogël, por të rëndësishëm më tej: më 1 shkurt, euro do të bëhet valutë zyrtare dhe e vetme nga të qenit jozyrtare. Ky vendim, si dhe disa vendime të tjera të fundit të qeverisë së Kosovës, shkaktuan një lloj alarmi në Bruksel dhe Uashington”, sipas Suddeutsche Zeitung.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa vende të Bashkimit Evropian, përfshirë Gjermaninë, kanë frikë se ndryshimi i monedhës mund ta bëjë situatën tashmë shumë të tensionuar në rajon edhe më shpërthyese. Sepse shpallja e euros si mjeti i vetëm i pagesës në Kosovë do të thotë ndalimi i monedhave të tjera, konkretisht dinarit serb”.
Gazeta rikujton se “dinari është ende një mjet i zakonshëm pagese në veri të vendit, ku jetojnë shumica e serbëve. Shumë prej tyre marrin pensione, paga ose përfitime sociale nga Serbia fqinje, qeveria e së cilës nuk e njeh Kosovën si shtet i pavarur, por e sheh atë si krahinën e vet të shkëputur”.
Prishtina nuk dorëzohet
“Qeveria në Prishtinë kohëve të fundit në disa raste ka treguar se nuk është më e gatshme të pranojë që Serbia të mos e njohë sovranitetin e Kosovës”, shkruan gazeta gjermane. “Ajo vendosi detyrimin për të zëvendësuar targat serbe me ato të Kosovës dhe inauguroi kryetarët shqiptarë në komunat me shumicë serbe – të dy hapat janë formalisht legjitimë, por secili prej tyre u pasua nga trazira të dhunshme, të cilat ndoshta ishin të nxitura nga autoritetet në Beograd”.
Në të njëjtën kohë, siç shkruan gazeta, “Lista Serbe, një parti nacionaliste që dominon veriun e Kosovës dhe kontrollohet nga Beogradi, ka shpallur kundërshtimin e saj ndaj futjes së euros. Sipas tyre, kjo është qartë një përpjekje për të dëbuar popullatën serbe pa përdorimin e armëve”.
Suddeutsche Zeitung raporton gjithashtu se presidenti serb Aleksandar Vuçiç i bëri thirrje BE-së që të parandalojë “provokimet e mëtejshme” nga Prishtina, si dhe se Komisioni Evropian dhe qeveria amerikane para tij kërkuan një “fazë mjaft të gjatë tranzicioni” për ndryshimin e monedhës.
Por, siç shkruan gazeta gjermane, Banka Qendrore e Kosovës deri më tani ka insistuar se vetëm po zbaton Kushtetutën. Dhe thekson se në veri të Kosovës ka mjaft banka të licencuara ku çdo qytetar mund të hapë një llogari në euro dhe të marrë pagesa “nga çdo vend”. /tesheshi.com/