Qeveria e Katalonjës ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pas më shumë se 1000 ditë në përballje me thatësirën teksa ka zgjeruar kufizimet e ujit në Barcelonë dhe rajonet përreth.

Presidenti i Katalonjës, Pere Aragones, bëri të ditur se në disa zona nuk ka rënë shi për tri vjet teksa ka përshkruar situatën me thatësirën si më të keqen në historinë moderne.

Rezervat e ujit atje kanë rënë nën 16 për qind gjë që shtyrë në shpalljen e gjendjes emergjente, shkruan TheGuardian.

Masat tashmë të vendosura në veri të rajonit, përfshijnë reduktimin prej 20 për qind të ujitjes bujqësore dhe ndalimin e ujitjes së parqeve publike në Barcelonë.

Pishinat publike dhe private do të mbyllen me përjashtim të atyre në qendrat sportive, ndërsa ujërat nëntokësore do të përdoren për të shpëtuar 35 mijë pemë të qytetit nga tharja.

Nuk do të ketë dushe në plazhe dhe as shatërvanë dekorativë. Pjesë e kufizimeve do të jenë edhe kufizimi i larjeve të veturave. Kufizimet pritet të mbesin në fuqi për të paktën për 15 muaj.