Mirdita, një zonë mahnitëse e vendosur në veri të Shqipërisë, nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga turistët vendas dhe të huaj prej një kohe të gjatë. Ky vend njihet për peisazhet piktoreske, trashëgiminë e pasur kulturore, traditat shekullore dhe kuzhinën e veçantë.

Panairi “Tourism and Travel Show”, i mbajtur në Pallatin e Kongreseve në datat 31 janar – 1 shkurt, shërbeu si platforma ideale për të sjellë Mirditën në fokusin e agjencive turistike si një destinacion i ri që ofron një pasuri përvojash kulturore.

Qendra Shqiptare për Arsimin, Turizmin dhe Sipërmarrjen (CEAPAL), një nga organizatat përfituese të granteve, mbështetur nga programi EU4Culture, organizoi një event të quajtur “Mirdita drejt zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm” në kuadër të panairit “Tourism & Travel Show”.

Ky aktivitet, i cili përmblodhi në një panel diskutimi ekspertë të zhvillimit të turizmit dhe përfaqësues nga bashkia Mirditë, ngjalli interes të madh tek operatorët turistikë të cilët e mikpritën mundësinë për të propozuar atraksione të reja dhe përvoja kulturore për klientët e tyre.

Më pas, një performancë nga valltarë të veshur me kostume tradicionale i dhuroi shumë ngjyra eventit. Kjo nismë vendase është një nga pesë projektet e zbatuara në Mirditë, të mbështetura nga programi i granteve të EU4Culture./ata