Nga shqiptaria e Maqedonisë së Veriut vjen rasti i një mjeku që paçka angazhimeve të forta shtetërore si ministër, profesionin e tij nuk e braktis, ndryshe nga sa ka ndodhur sidomos në Shqipëri, me bluza të bardha që pasi e kanë hequr atë për shkak të angazhimeve politike, as nuk e kanë veshur më, madje deri në harresë ndaj faktit se dikur kanë qenë mjekë.
I tillë është Bujar Osmani, njeriu që prej kohësh drejton diplomacinë e Shkupit, madje me shumë dinjitet, pa qenë kurrë i përfolur për keq.
Së fundi, ai ka postuar nisjen e ditës, aty, te profesioni i doktorit, kirurgut më saktë.
“Fillova ditën në sallë të operimit, më vonë shënojmë 30-vjetorin e marrëdhënie diplomatike me Zvicrën, më pas në “10 min” në TV21 dhe për fund në Kumanovë në ngjarjen e madhe”, shkruan ai.
Kujtojmë se kjo figurë e BDI-së ka qenë më parë dhe ministër Shëndetësie, për të vijuar më pas në diplomaci.
Dhe për krahasim, kur është fjala për Shqipërinë, kujtojmë se dy nga figurat kryesore të mjekësisë shqiptare që u angazhuan që në fillimet e demokracisë me politikë, Sali Berisha e Tritan Shehu, nuk iu kthyen më të qënit doktor, me bluzë të bardhë veshur, te pacientët. /tesheshi.com/