Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, ka mbërritur sot paradite në SPAK.

 

Shkelzen Berisha u paraqit rreth orës 10:00 në dyert e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.

 

Sipas medieve, ai është thirrur për t’u marrë në pyetje nga prokurori i çështjes së Gërdecit, Klodian Braho.

 

Pas marrjes në pyetje nga SPAK, Shkëlzen Berisha, në një prononcim për mediet, mohoi të këtë lidhje me çështjen Gërdeci.

 

“Jam thirrur si person që ka dijeni për çështjen. Jam thirrur për çështjen e Gërdecit dhe jam pyetur. Sigurisht nuk kisha çfarë të ofroja më shumë se ato që kam deklaruar publikisht. Nuk mendoj se dijenia ime i ka dhënë ndihmë hetimit në fjalë. S’kam asnjë lidhje me këtë gjë”, tha ai.

 

“Kam përsëritur të gjitha ato që kam thënë publikisht. Kam ardhur në respektim të ligjit si çdo qytetar. E kam deklaruar publikisht se, nuk e kam parë të arsyeshme thirrjen time. Sot pas 15 vitesh, e njëjta prokurori, të njëjtët prokurorë,  njëjta çështje të njëjta rrethana, mendojnë se unë mund të kem dijeni për rrethanat e çështjes.

 

I pyetur në lidhje me thirrjen nga SPAK edhe të ish-ministrit të Drejtësisë, Aldo Bumçit, Shkëlzen Berisha tha s,e s’kam asnjë lidhje me të.

 

“Ajo që Prokuroria duhet t’i thotë publikut pas 15 vitesh është se, kush e ka bërë atë shënim. Unë nuk kam asnjë lidhje. Prokuroria t’i thotë publikut se e kujt është kaligrafia, nëse nuk është falsifikim. Që unë të futem në Ministrinë e Drejtësinë nuk do të thotë që unë marr vendime”, tha ai.

 

Në lidhje me komunikimin me ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Shkëlzen Berisha tha se, asnjë gjë nuk ka pasur lidhje me këtë çështje.

 

“Kam folur për gjëra personale dhe s’kam dëshirë t’i zbuloj këtu. Jam pyetur brenda. Të komunikosh nuk do të thotë që ke lidhje në të tilla çështje. Nuk ndjehem aspak i rrezikuar nga SPAK”, tha ai.

 

Ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi ka dëshmuar në SPAK për çështjen e Gërdecit me 13 dhjetor.

 

Ndërsa, më datë 10 janar, ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu iu komunikua akuzua  nga SPAK për shpërdorim detyrë në tragjedinë e Gërdecit, ku në 15 mars të vitit 2008 humbën jetën 26 persona, dhe shumë të tjerë u plagosën pas një shpërthimi në një fabrikë të demontimit të armëve.