Që prej 22 majit të vitit 2022, kur Erinda Ballancës i përfundoi mandati, politika nuk ka gjetur numrat dhe konsensusin për t’i dhënë vendit Avokatin e Popullit me mandat të plotë.
Çështja e një prej institucioneve kushtetuese më të rëndësishme në aspektin e të drejtave të njeriut, duket se nuk do të ketë dritë në fund të tunelit as pas thirrjes publike të ambasadorit të BE-së Silvio Gonzato 10 ditë më parë, i cili e cilësoi emergjente zgjedhjen e një emri të ri. Mazhoranca e opozita nuk duket ta kenë në prioritetet dhe axhendën e tyre të afërt.
Të pyetur nga Report TV, dy krerët e grupeve parlamentare të partisë socialiste dhe asaj demokratike, Bledi Çuçi e Gazment Bardhi thanë se nuk ka ende asnjë diskutim konkret mes tyre për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit.
Prej muajsh mes palëve nuk ka diskutime për një emër të ri, e me shumë gjasë ky sesion parlamentar do të mbyllet pa një emër të ri të Avokatit të Popullit.
Në dhjetor të 2022-shit, mazhoranca rrëzoi me votë në kuvend emrin e Ledio Brahos si propozim të opozitës, me argumentin se Braho në drejtim të këtij institucioni do të ishte zgjatim i Partisë Demokratike për shkak të angazhimeve në këtë forcë politike. Ky votim e nisi procesi në pikën zero dhe verifikimi i kandidaturave rifilloi
Në sirtarët e kuvendit, në pritje të dakordësisë politike për 84 votat e nevojshme qëndrojnë emrat 7 kandidatëve të cilët kanë siguruar mbështetjen e 28 deputetëve të kuvendit, ashtu siç parashikon ligji.
Emra me një karrierë të spikatur në sistemin e drejtësisë dhe avokatisë si Vitore Tusha, Bledar Dervishaj, Tartar Bazaj, Dardan Mustafaj, Besim Ndregjoni , Erald Aga dhe Edison Frangu janë emrat që kanë marrë mbështetjen e deputetëve dhe kanë realizuar edhe dëgjesat publike në komisionin e ligjeve, duke përmbushur të gjitha kriteret ligjore për drejtimin e këtij institucioni.
Megjithatë në rast se nuk do të ketë dakordësi mes palëve për asnjë nga emrat e mësipërm, këta të fundit do të duhet të rrëzohen me votë në parlament, çka do të pasonte rinisjen e procesit nga e para, nga thirrja për aplikime, tek dëgjesat, negociatat mes palëve e më pas votimit të një emri konsensual.
Ligji parashikon se avokati i popullit zgjidhet jo më vonë se 30 ditë nga mbarimi i mandatit ose data e shkarkimit, dhe Komisioni i Ligjeve shpalli vakancën që më 30 mars të 2022-shit. Pas më shumë se dy vitesh, Erinda Ballanca, në mungesë të një emri të ri që ta zëvendësojë, vijon të ushtrojë detyrën si Avokat i Popullit, edhe pse me mandat të përfunduar./Shqiptarja