Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në Mal të Zi u zhbllokua funksionimi i disa institucioneve të drejtësisë dhe Mali i Zi zhvilloi konferencën ndërqeveritare me Bashkimi Evropian.
Megjithatë, zgjedhja e përfaqësuesit të forcave politike pro-serbe dhe pro-ruse për kryetar të parlamentit, Andrija Mandiç, ka ngjallur shqetësime tek Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Gjatë një interviste për Zërin e Amerikës, zëvendës kryeministri dhe ministri i Ekonomisë së Malit të Zi, Nik Gjeloshaj tha se roli i Andrija Mandiç, përfaqësues i partive pro-serbe dhe pro-ruse si kryeparlamentar dhe përfshirja gjatë këtij viti në kabinetin qeveritar të përfaqësuesve të tjerë të këtyre forcave, nuk do të ndryshojnë orientimin euroatlantik të Malit të Zi.
Sipas tij çështjet si integrimet euroatlantike dhe vazhdimi i sanksioneve ndaj Rusisë, janë pjesë e marrëveshjes së koalicionit, të cilën qeveria do ta respektojë. “Nëse ka shkelje të marrëveshjes së koalicionit qeverisës, nuk do të largohemi vetëm ne, por edhe të tjerët. Mendoj se ai që do të shkelte pikat e marrëveshjes nuk do të jetë më pjesë e qeverisë”, tha zoti Gjeloshaj.
Zëri i Amerikës: Zoti Gjeloshaj, javën e ardhshme bëhen 100 ditët e para të qeverisë së re të Malit të Zi. Ne raportin e fundit Keshilli Europian nxiti vendin tuaj të ndërmarrë reforma urgjente në kuadrin e integrimit euroatlanik, si reforma në drejtësi. Cilat janë masat që po merren në këtë drejtim?
Nik Gjeloshaj: Sinqerisht 100 ditët e para, sa i përket rrugës euroatlantike, integrimit në Bashkimin Evropian, qeveria ka bërë shumë hapa. Në fillim kam patur dilema nëse do të mund të zgjidheshin kaq shumë çështje, por përfundoi procesi i zgjedhjes së gjyqtarit të shtatë të Gjykatës Kushtetuese. Për ne kjo është e rëndësishme sepse ai është shqiptar. Gjatë kësaj periudhe është kompletuar Këshilli Gjyqësor dhe një javë më parë u zgjodh kryeprokurori shtetëror. Pra për pesë vite, Mali i Zi nuk kishte prokuror shtetëror, nga viti 2019 nuk u arrit konsensus për këtë çështje në parlament. U gjet mundësia për këtë dhe me mbështetjen e mbi 70 për qind të parlamentit u zgjodh kryeprokurori i shtetit. Zgjidhja e këtyre tre çështjeve ka avancuar pozitën e Malit të Zi në rrugën e integrimit evropian. Kemi patur edhe një takim të qeverisë së Malit të Zi me përfaqësues të Bashkimit Evropian në Bruksel, një gjë që nuk kishte ndodhur për më shumë se dy vite. Pra, për 100 ditë janë zgjidhur këto çështje të mëdha. Qeveria ka miratuar edhe një buxhet prej tre miliardë eurosh, i cili përfshin investime të mëdha kapitale dhe ajo që është me rëndësi për ne, ai përfshin investime në zonat ku jetojnë shqiptarët. Pra, për 100 ditë jemi të kënaqur me atë që ka arritur qeveria e Malit të Zi.
Zëri i Amerikës: Zoti Gjeloshaj, aktualisht Postin e Kryetarit të Parlamentit e mban Andrija Mandiç, përfaqësues i partive pro-serbe dhe pro-ruse kundërshtar i anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, mbështetës i heqjes së sanksioneve kundër Rusisë dhe tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës. Zoti Mandiç u zgjodh edhe me votat e koalicionit tuaj. A ju shqetësojnë këto qëndrime te tij?
Nik Gjeloshaj: Po. Ne i kemi ditur qëndrimet e tij të kaluara dhe për këtë kemi bërë një marrëveshje koalicioni, e cila është nënshkruar nga këta përfaqësues politikë dhe parashikon respektimin e çështjeve të cilat për ne janë shumë të rëndësishme. Mes tyre janë edhe ato që përmendët ju. Qeveria e Malit të Zi në 100 ditëshin e parë i ka vazhduar sanksionet ndaj Rusisë. Pra, nuk ka patur ndryshim të kursit politik. Qeveria është në procedurë të emërimit të ambasadorit të Malit të Zi në Kosovë. Pra, nuk ka ndryshim as për këtë çështje. Mendojmë se për aq kohë sa do të respektohet marrëveshja e koalicionit, qeveria do të jetë e përqendruar krejtësisht në zbatimin e asaj që është përfshirë në atë. Kjo përfshin çështjet si integrimet euroatlantike, përkrahja e Ukrainës dhe vazhdimin e sanksioneve ndaj Rusisë. Pra, do të ketë një përputhje të politikës sonë të jashtme me atë të Bashkimit Evropian dhe atë të partnerëve tanë të NATO-s në çdo aspekt. Mendoj se qeveria do të vazhdojë të respektojë këto çështje dhe ashtu si deri tani edhe në të ardhmen qëndrimet e kaluara të dikujt nuk do të ndryshojnë këtë politikë.
Zëri i Amerikës: A ka ndonjë pikë të kësaj marrëveshjeje, e cila nëse do të shkelej do të shkaktonte largimin tuaj nga koalicioni qeverisës?
Nik Gjeloshaj: Absolutisht. Nëse ka shkelje të marrëveshjes së koalicionit qeverisës, nuk do të largohemi vetëm ne, por edhe të tjerët. Ne nuk do t’i shkelim pikat e marrëveshjes. Ne besojmë në ato pika të marrëveshjes. Mendoj se ai që do të shkelte pikat e marrëveshjes nuk do të jetë më pjesë e qeverisë. Nuk do të kemi nevojë të largohemi ne, por do t’i largojmë ata që do të shkelin ato pika. Natyrisht, ne jemi të gatshëm të tërhiqemi nëse ndodh diçka, nëse njëra nga ato pika nuk respektohen. Por, sërish unë mendoj se ai që nuk do t’i respektojë pikat e marrëveshje nuk do të jetë më pjesë e koalicionit qeverisës.
Zëri i Amerikës: Si pjesë të kësaj marrëveshjeje pritet të ketë një riorganizim të qeverisë dhe të përfshihen në të përfaqësues të partive pro-serbe dhe pro-ruse. Uashingtoni dhe Bashkimi Europian janë shprehur shumë të shqetesuar për përfshirjen në qeveri të partive dhe drejtuesve të tyre që u kundërvihen vlerave euroatlantike. A druheni se kjo mund të ndikoje negativisht në procesin e integrimit europian?
Nik Gjeloshaj: Derisa qeveria të udhëheqë politikën e brendshme dhe të jashtme, shumica bindshëm në qeveri e ka një politikë, ajo është respektimi i atyre principeve nga marrëveshja. Unë e kam thënë edhe edhe përsëris, secili që mund dhe do t’i rrijë atyre principeve, do t’i realizojë ato principe në politikë, mund të drejtojë secilin institucion, por në qoftë se nuk do apo do të veprojë ndryshe prej saj, normal që nuk do mund të jetë pjesë e qeverisë. Unë besoj se principet janë të qarta, janë publike. Ai që u bindet atyre mund të jetë dhe do të jetë pjesë e qeverisë, ai që nuk u bindet atyre, as që nuk mund të jetë pjesë e qeverisë së Malit të Zi.
Zëri i Amerikës: Opozita në Mal të Zi ka ngritur shqetësimin se nisma për dialog për dy shtetësi, e mbështetur nga partitë pro-serbe dhe pro-ruse synon ndryshimin e identitetit kombëtar të Malit të Zi. Sipas tyre, kjo “do të shfrytëzohej kryesisht për të sjellë votues nga rajoni, nga Republika Srbska dhe nga Serbia për të ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve në vend”. A e mbështesni ju këtë nismë?
Nik Gjeloshaj: Sinqerisht nuk e kam analizuar atë ide. Më shumë është qëndrim politik, publik. Nuk ka ardhur as në institucione, as nuk është biseduar për një çështje të tillë në tavolinë. Ne si shqiptarë duhet të analizojmë se si reflekton kjo ndaj neve dhe të ardhmes euroatlantike të Malit të Zi. Në një mënyrë, pa e analizuar thellë si është propozimi, shqiptarëve u konvenon që të ketë një liberalizim mbi mundësinë e marrjes së shtetësisë, kemi shumë njerëz në diasporë të cilët kanë lidhje të ngushta me Malin e Zi ndërsa Mali I Zi është një ndër shtetet që mendoj se e ka më strikte marrjen e shtetësisë. Mendoj se është më strikte se Shtetetet e Bashkuara të Amerikës. Në qoftë se ka avancim në atë drejtim, si popull do të na konvenonte, mirëpo nuk do të pëkrahnim diçka që mund të cënohej e ardhmja euroatlantike e Malit të Zi apo ndryshimi i strukturës, apo i të ardhmes së orientimit të Malit të Zi, megjithëse ne mund të na konvenojnë në periudhë afatshkurtër, mirëpo nëse nuk është diçka aftagjatë, normal që nuk do ta përkrahim. Por, për të qenë i saktë, pa i parë si propozim konkret, në bazë të deklaratave publike, as nuk është serioze të komentoj, apo të marr një qëndrim.
Zëri i Amerikës: A jeni te shqetesuar per ndikimin ekonomik rus ne vendin tuaj? Banka Qendrore për investimet e huaja në Malin e Zi, bëri të ditur se shtetasit rusë janë investitorët më të mëdhenj të huaj në vend, për periudhën janar-maj të vitit 2023. Sipas saj, kanë investuar afro 53 milionë euro,,,
Nik Gjeloshaj: Në Mal të Zi ka patur një vakum institucional shtetëror prej 2-3 vitesh dhe aty nuk ka patur rregull për të ditur përse dhe nga po na vinë investimet. Mendoj se me formimin e qeverisë së re është krijuar një stabilitet në çdo aspekt dhe investimet që promovon qeveria e Malit të Zi janë ato perëndimore, amerikane, që do të vazhdojë t’i promovojë. Mendoj se ato investime do të sjellin rritje ekonomike dhe vlerë të shtuar në Mal të Zi. Këto, (investimet ruse) kanë qenë prej së kaluarës, mendoj që po ndryshohen shumë, po e përsëris, kemi vazhduar sanksionet ndaj Rusisë, do të vazhdojmë me atë politikën që ka qenë gjithmonë, euroatnalike, pro perëndimore dhe pro amerikane. Deri atëherë si shqiptar, do ta ruajmë këtë frymë ne qeveri dhe besoj që me partnerët që jemi sot në qeveri, me kryeministrin Spajiç dhe të tjerë do t’ia dalim që të ruajmë këtë orientim.