Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim komandantin e Misionit të NATO-s në Kosovë - KFOR, Gjeneral Major Özkan Ulutaș, për të biseduar për situatën e sigurisë në vend.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, në takim u bisedua edhe për bashkëpunimin mes Kosovës dhe KFOR-it si dhe për rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
“Lidhur me rregulloren e re të BQK-së, kryeministri tha se BQK-ja është institucion i pavarur e profesional dhe se Qeveria nuk mund e nuk duhet të ndikojë në vendimmarrjen e saj. Në këtë drejtim theksoi rëndësinë e ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së institucioneve publike dhe funksionimit të pavarur e të pandikuar të tyre”, thuhet në njoftim.
Kurti foli edhe për rëndësinë e luftimit të pastrimit të parave dhe kriminalitetit dhe tha se Kosova Euro-n si valutë e ka marrë nga Bashkimi Evropian.
“Qeveria mbështet zbatimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në gjithë vendin. Përveçse për ligjshmëri e rregull, kujdeset edhe për paqe dhe siguri. Mirëqenia dhe siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës është prioritet i Qeverisë, prandaj edhe do të përkujdeset që qytetarët të mos ndikohen negativisht nga vendimet e institucioneve. Në këtë drejtim çdo ankesë do të trajtohet me seriozitet dhe adresohet me shpejtësi”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.
Kurti e ka falënderuar KFOR-in për kontributin për një ambient të qetë e të sigurt në Kosovë.
Gjatë muajit janar të këtij viti BQK-ja miratoi një rregullore të re e cila përcakton që valuta e vetme e pranuar për operim në Republikën e Kosovës, është euro.
Kjo rregullore hyri në fuqi nga 1 shkurti. Megjithatë, sipas Qeverisë së Kosovës do të ketë një fazë tranzicioni e cila nënkupton se nuk do të shqiptohen menjëherë dënime por do të ketë edukim dhe informim për bizneset dhe qytetarët që përdorin dinarin, si valuta kryesore e përdorur jo-euro nga komuniteti serb në Kosovë.
Bashkimi Evropian (BE) tha se “periudha e shkurtër e tranzicionit për zbatimin e rregullores, e kombinuar me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikojnë të ndërlikojnë seriozisht jetën e tyre”.
BE-ja i kërkoi Kosovës që të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja./aa