Puna në kantierin e rrugës Berat-Ballaban po vijon me ritme të shpejta.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ky aks, që iu shërben afro 150 mijë banorëve të qarqeve Berat dhe Gjirokastër.

“Në rrugën e re Berat-Ballaban ku puna po vazhdon çdo ditë për të çuar përpara një investim infrastrukturor që çliron një potencial të jashtëzakonshëm ekonomik dhe turistik për bashkitë e qarqeve Gjirokastër dhe Berat”, u shpreh Rama.

Segmenti rrugor Berat-Ballaban, me një gjatësi prej afro 60 kilometrash, prek katër bashki, Berat, Poliçan, Memaliaj dhe Këlcyrë dhe ju shërben afro 150 mijë banorëve.

Përfundimi i këtij projekti do të ndikojë në përmirësimin e kushteve të jetesës së zonave në të cilat kalon.

Po ashtu investimi shkurton kohën dhe distancën e udhëtimit ndërmjet bashkive Përmet, Tepelenë, Memaliaj dhe Gjirokastër me bashkinë Berat, ndërsa pritet të krijojë akses më të afërt edhe me shtetin fqinj Greqinë, nëpërmjet pikës doganore “Tre Urat”./ata