Kujdesi shëndetësor në banesë ofrohet tashmë në 31 qendra shëndetësore, nën parimin “askush të mos mbetet pas”.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu, bëri të ditur se ky model do të shtrihet në të gjithë vendin, me synim që të optimizohet dhënia e shërbimeve socio-shëndetësore, e ku në fokus janë pacientët më vulnerabël, të moshuarit, pacientët me sëmundje kronike, të cilët nuk mund të dalin nga banesa e tyre për shkak të gjendjes shëndetësore.

Ministrja Koçiu ndau pamje të vizitave që mjekët kryejnë pranë banesave të pacientëve.

“Gjithëpërfshirja dhe aksesi ndaj shërbimit për grupet e cënueshme janë thelbi i këtij modeli, duke synuar kujdes efikas për të gjithë, pavarësisht vështirësive të tyre shëndetësore dhe sociale”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu shprehu mirënjohjen e saj edhe për ekipet shëndetësore, mjekët dhe infermierët, për përkushtimin çdo ditë në shërbim të qytetarëve.

Qendra shëdentësore nr.1 në Tiranë ka afërsisht 48 pacientë që ndjek në shtëpi. Krahas shërbimit mjekësor, kjo qendër u ka siguruar edhe disa pajisje pacientëve të saj, si karroca, dyshek ajri, etj./ata