Me ftesë të zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani, Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, sot do të marrë pjesë në takimin Ministror “Miqtë e Ballkanit Perëndimor”, që do të mbahet në Romë.

Nën udhëheqjen e Tajanit do të mbahen dy sesione ku temë kyçe do të jetë integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si dhe kontributi i sektorit privat në këtë proces, perspektiva e bizneseve italiane.

Në fjalën e saj para homologëve nga Ballkani Perëndimor, Ministrja Gërvalla do të paraqes perspektivën e Republikës së Kosovës në procesin e integrimit në BE, progresin e arritur në demokraci, sundim të ligjit, zhvillim ekonomik, plotësimin e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian si dhe zhvillimet e fundit në Kosovë dhe rajon në fushën e sigurisë. 

Në vazhdën e Ministerialit WB6 në Romë, Gërvalla do të takojë homologun e saj për Punë të Jashtme dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar të Italisë, Antonio Tajani, si dhe përfaqësues të tjerë të institucioneve qendrore të Italisë./ata