Kompania turke e industrisë së mbrojtjes Baykar ka filluar ndërtimin e një fabrike pranë Kievit që do të punësojë rreth 500 punonjës dhe do të prodhojë modelet e saj të dronëve TB2 ose TB3, tha shefi ekzekutiv i kompanisë për Reuters.
Dronët Bayraktar të prodhimit turk kanë fituar vëmendjen globale pasi u përdorën nga ushtria ukrainase në operacionet e saj kundër pushtuesve rusë, duke shkatërruar tanke dhe sisteme artilerie.
Baykar tha se ka nënshkruar marrëveshje eksporti për dronin e saj TB2 me 30 vende. Këto përfshijnë Ukrainën, Etiopinë, Libinë dhe Azerbajxhanin që nga viti 2018, sipas institutit SIPRI.
“Fabrika jonë po ndërtohet… na duhen rreth 12 muaj për të përfunduar ndërtimin dhe më pas do të vazhdojmë me instalimin e makinerive, pajisjeve dhe strukturës organizative,” tha CEO i Baykar Haluk Bayraktar në kuadër të “World Defense Expo” në Riad.
“Fabrika në Ukrainë është një nga më të mëdhatë (të kompanisë), ne planifikojmë të punësojmë rreth 500 njerëz,” tha ai.
Bayraktar vuri në dukje se prodhimi vjetor do të jetë gjithsej rreth 120 dronë, por theksoi se nuk është ende e qartë nëse prodhimi në fabrikën ukrainase do të fokusohet në modelin TB2 ose TB3.
I pyetur nëse çështjet e sigurisë lidhur me luftën në vazhdim janë një shqetësim për uzinën, Bayraktar vuri në dukje se planet janë “në lëvizje të plotë” dhe se “asgjë” nuk mund t’i ndalojë ato.
Ai shtoi se planet e kompanisë me bazë në Stamboll për të filluar prodhimin në Arabinë Saudite brenda dy viteve të ardhshme janë në rrugën e duhur. Njoftimi vjen pas një marrëveshjeje në korrik për t’i shitur Arabisë Saudite modelin Bayraktar Akinci, një lloj tjetër droni, në atë që Baykar e përshkroi si kontratën më të madhe të mbrojtjes në historinë e Turqisë.
Kompani të tjera të industrisë së mbrojtjes që marrin pjesë në eventin e Riadit njoftuan gjithashtu marrëveshje. Dje të hënën, amerikani Lockheed Martin nënshkroi marrëveshje me kompanitë e Arabisë Saudite për prodhimin e komponentëve për sistemet e mbrojtjes raketore.
Bayraktar tha se kompania planifikoi të dyfishonte prodhimin vendas të Akinci këtë vit, i cili ishte 36 dronë në 2023, ndërsa prodhimi i TB2 do të mbetet i pandryshuar në 230 dronë.
Ai gjithashtu synon të prodhojë modelet e reja të dronëve Kızılelma dhe TB3 “me dhjetëra”, shtoi ai. /tesheshi.com/