Të gjitha shërbimet e komunikimit dhe të internetit janë ndërprerë në qytetin e Jeninit për shkak të sulmeve izraelite që vazhdojnë prej ditës së djeshme në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, bazuar në kompanitë e telekomunikacionit, linjat kryesore që mbajnë rrjetin e komunikimit në qytetin e Jeninit janë dëmtuar për shkak të shkatërrimeve të mëdha të shkaktuara nga ushtria izraelite në infrastrukturë.
Në qytet ku janë ndërprerë linjat telefonike fikse si dhe operatorët celularë dhe shërbimet e internetit, ndonëse ekipet teknike që prej ditës së djeshme po tentojnë të arrijnë në pikat e dëmtuara, nuk ka asnjë progres pasi situata në terren nuk është e përshtatshme për këtë.
- Komunikimi me qendrën e ambulancës dhe ekipet e Gjysmëhënës së Kuqe në Jenin ka humbur
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se komunikimi me qendrën e ambulancës dhe ekipet në Jenin është ndërprerë plotësisht.
Drejtori i Spitalit Shtetëror në Jenin, Visam Bekr tha: "Ne jemi të shqetësuar se diçka mund të ndodhë pas situatës së bllokimit të sinjalit dhe ndërprerjes së internetit në spital".
- Disa degë bankash nuk mund të ofrojnë shërbime
Autoriteti Monetar Palestinez njoftoi se shërbimi nuk ofrohet në disa degë bankash në qytetin e Jeninit për shkak të shkatërrimit të linjave të internetit nga ushtria izraelite.
Raportohet se 17 palestinezë janë vrarë deri më tani, shumë të tjerë janë plagosur. Disa nga të plagosurit janë në gjendje kritike për jetën në sulmet "në shkallë të gjerë" të nisur nga ushtria izraelite dje në Bregun Perëndimor të pushtuar./aa