Drejtoresha e përgjithshme e Institutit të Statistikave, Elsa Dhuli foli sot lidhur me sulmin kibernetik ndaj faqes zyrtare të INSTAT-it në fund të muaji janar.

Dhuli gjatë mbledhjes së Komisionit të Ekonomisë dhe Financave ku ishte e ftuar për strukturën e re të këtij institucioni, deklaroi sot se të dhënat e censit janë të paprekura dhe se nuk ka informacione të humbura.

“Databaza e të dhënave tashmë është bërë funksionale për përdorim nga publiku dhe të dhënat e censit janë të paprekura dhe se nuk ka informacione të humbura”, tha ajo.
Dhuli sqaroi se punohet me autoritetet shtetërore AKCESK dhe AKSH për të rivënë në funksionim të gjithë infrastrukturën e INSTAT.

Ristrukturimin e institucionit Dhuli e argumentoi me nevojën për të pasur një përputhshmëri të kategorive të pagave në zbatim të VKM nr.325/2023, si dhe për pasjen e një mirëfunksionimi të INSTAT, në zbatim të rekomandimeve të EUROSTAT.

Dhuli nënvizoi se nuk ka ndryshime në numrin e punonjësve apo pozicioneve në strukturën organike të institucionit.

Deputetja Milva Ekonomi në cilësinë e relatores argumentoi mbështetjen për kërkesën e ardhur nga INSTAT dhe ftoi kolegët ta miratojnë atë. Pas pyetjeve dhe diskutimeve, komisioni miratoi projektvendimin dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare.
Komisioni Parlamentar për Ekonominë dhe Financat miratoi këtë projektvendim./ata