Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj paraqiti sot amendamentin në lidhje me Amnistinë Penale që ka hyrë në procedurat legjislative për shqyrtim dhe miratim.
Në relacionin që shoqëron amendamentin, Alibeaj thekson fillimisht se “amnistia përbën një akt parlamentar mëshire për qytetarët që dyshohen ose janë dënuar për shkelje të ligjit penal, që passjell edhe përfitime për uljen e mbipopullimit në burgje, reduktimin e ngarkesës së punës në prokurori dhe gjykata”.
“Në këtë kuadër, amendamenti i paraqitur synon të rregullojë situatën e një kategorie specifike qytetarësh, të cilët kanë hyrë në konflikt me ligjin për arsye politike”, u shpreh ai duke saktësuar se bëhet fjalë për qytetarët të cilët kanë marrë pjesë në protestat e organizuara nga Partia Demokratike dhe aleatët politikë të saj në periudhën 01.10.2018 – 31.12.2020.
“Në të njëjtën periudhë janë organizuar edhe disa protesta qytetare, midis të cilave vlejnë të përmenden e gjithë seria e protestave të banorëve të zonës së Astirit në Tiranë, seria e protestave kundër shembjes së Teatrit Kombëtar në Tiranë, seria e protestave të banorëve të Bregut të Lumit, seria e protestave të banorëve të zonës së Shkozës, seria e protestave të studentëve apo protestat kundër vrasjes policore të të riut Klodian Rasha”, vijon Alibeaj.
Alibeaj vë në dukje se sipas të dhënave të mbledhura nga strukturat e Partisë Demokratike, që shpesh kanë ofruar edhe mbrojtje juridike falas, rezulton se gjatë protestave të kësaj periudhe dhe për shkak të revoltimit për të drejtat politike, ekonomike dhe sociale, disa prej protestuesve kanë hyrë në konflikt me ligjin.
“Edhe pse ka pasur një debat të nxehtë politik mbi politizimin dhe padrejtësinë e veprimeve të organeve ligjzbatuese të ngarkuara për ndjekjen penale, mbetet fakt se një numër i lartë qytetarësh janë proceduar penalisht për veprat penale të shkatërrimit të pronës, shkatërrimit të pronës me zjarr, kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik, të kundërshtimit të punonjësit të policisë, të goditjes për shkak të detyrës dhe të shkeljes së rregullave për lëndët plasëse dhe djegëse, të parashikuara respektivisht nga nenet 150, 151, 235 236, 237 dhe 282 i Kodit Penal. Disa prej këtyre procedimeve penale janë përfunduar me dënimin e protestuesve, ndërsa një pjesë tjetër janë në shqyrtim e sipër nga prokuroria dhe gjykata”, thuhet në relacion.
Duke mbajtur në konsideratë këtë situatë, Alibeaj shprehet se amendamenti është formuluar me tre nene.
Neni 1 i referohet protestuesve që tashmë kanë marrë cilësinë e të dënuarit. Neni 2 ka saktësuar formulimin ekzistues të projektligjit që flet për kriteret ndaluese të amnistisë dhe për ta përputhur me qëllimin e amendamentit. Ndërsa neni 3 rregullon amnistinë e protestuesve, për të cilët ndjekja penale është në proces e sipër në prokurori dhe gjykatë.
Alibeaj kërkon që relacioni i amendamentit të bëhet pjesë e plotë e relacionit të projektligjit.
Ai vlerëson se lehtësimi i pozitës së këtyre protestuesve me anë të amnistisë ka një impakt pozitiv në disa drejtime. Amnistia do të shërbejë për rehabilitimin e secilit prej tyre, përfshi rrethin e tyre familjar dhe shoqëror, por edhe si një tregues i rëndësishëm se Kuvendi i ka kushtuar rëndësi kësaj kategorie qytetarësh, të cilët janë proceduar penalisht për shkak të pjesëmarrjes në protesta për garantimin e të drejtave të tyre politike, ekonomike dhe të pronësisë, të drejta themelore të sanksionuara në Kushtetutë./ata