Norvegjia njoftoi se i dërgoi 26 milionë dollarë ndihmë Agjencisë së Kombeve të Bashkuara (OKB) për Ndihmën dhe Punën për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), ndaj së cilës disa vende pezulluan përkohësisht mbështetjen.

Ministri i Punëve të Jashtme i Norvegjisë, Espen Barth Eide në postimin e tij në X shkroi se Norvegjia dërgoi 26 milionë dollarë ndihmë për UNRWA-në.

"UNRWA është shtylla kurrizore e përpjekjeve humanitare në Gaza. Shërbimet e saj janë kritike për miliona njerëz në nevojë ekstreme" theksoi Eide.

Funksioni i UNRWA-së dhe pretendimet e Izraelit

UNRWA e cila financohet me kontributet vullnetare të shteteve anëtare të OKB-së, që nga viti 1950 kur ka filluar aktivitetet e saj e deri më tani ndodhet në pozicionin e institucionit kryesor i cili siguron ndihma humanitare të tilla si ushqim, shëndetësi, arsim, strehim për refugjatët palestinezë.

Agjencia sot ofron mbështetje për 5,9 milionë refugjatë palestinezë. UNRWA teksa përpiqet të shërojë plagët e palestinezëve prej rreth 74 vitesh, gjatë këtij procesi objektet e saj janë goditur shumë herë nga Izraeli ndërsa janë shkatërruar tonelata ushqime dhe ilaçe.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres kërkoi të hetohen menjëherë pretendimet e autoriteteve izraelite se personeli i UNRWA-së është përfshirë në sulmet e 7 tetorit.

Gjithashtu edhe UNRWA filloi hetim kundër pretendimeve të Izraelit.

Gjermania, Zvicra, Italia, Kanadaja, Finlanda, Islanda, Australia, Britania, Holanda, SHBA-ja, Franca, Austria, Japonia dhe Estonia njoftuan se kanë marrë vendim të pezullojnë përkohësisht mbështetjet e tyre financiare për UNRWA-në.

Ndërsa Norvegjia, Irlanda dhe Spanja kanë njoftuar se do të vazhdojnë mbështetjen e tyre për UNRWA-në./aa