Në kuadër të shënimit të 25 vjetorit të agjencisë së lajmeve KosovaPress, në Prishtinë është mbajtur konferenca e titulluar "Kufijtë e lirisë së fjalës".

Në konferencë kanë marrë pjesë presidenti i KosovaPress-it Skender Krasniqi, zv/drejtori i përgjithshëm dhe kryeredaktori i Anadolu-t, Yusuf Özhan, anëtari i bordit drejtues të Anadolu-t, Prof.Dr. Yusuf Özkır, zv/ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Liza Gashi, si dhe përfaqësues të agjencive në kuadër të Asociacionit të Agjencive Evropiane të Lajmeve (EANA) dhe Aleancës së Agjencive të Lajmeve të Ballkanit-Evropës Juglindore (ABNA-SE).

Drejtoresha e Përgjithshme e KosovaPress, Suzana Rakovica Hashani dhe zv/ministrja Gashi mbajtën fjalime në hapjen e konferencës.

Rakovica në fjalën e saj tha se kanë organizuar këtë konferencë për të reflektuar mbi rolin e përbashkët në mbështetjen e vlerave dhe lirisë së shprehjes në kuadër të normave etike dhe profesionale, si dhe për të diskutuar se si këto vlera mund të forcohen përmes transformimit teknologjik.

Sipas saj, KosovaPress ka dhënë kontribute të jashtëzakonshme në fushën ndërkombëtare për të mirën e vendit dhe qytetarëve të tij dhe që Kosova të njihet si shtetet tjera.

"Ne shohim jetike interesin e publikut për të informuar saktë, drejt. Prandaj do të vazhdojmë me përkushtim dhe bashkëpunim me të gjitha agjencitë e tjera të cilat janë të shumta në këto organizata", u shpreh ajo.

Zv/ministrja Gashi, nga ana e saj, tha se KosovaPress ka mbetur një partner i qëndrueshëm gjatë kohëve të vështira me të cilat është përballur vendi dhe komunitetet në çerekshekullin e fundit.

"Në janar të vitit 1999, në disa prej kohërave më të vështira për vendin tonë, KosovaPress doli si kampion i së vërtetës dhe simbol i qëndresës së popullatës së Kosovës", tha Gashi.

Në panelet e mbajtura në kuadër të konferencë "Kufijtë e lirisë së fjalës" janë trajtuar çështjet kritike si dezinformimi, zhvillimet teknologjike, rreziqet e sigurisë për gazetarët dhe qëndrueshmëria financiare e agjencive të lajmeve në botën bashkëkohore të medias.

Gjithashtu, në kuadër të aktivitetit, zv/drejtori i përgjithshëm dhe kryeredaktori i Anadolu-t, Özhan, i dha dhuratë presidentit të KosovaPress-it, Krasniqi, me rastin 25-vjetorit të themelimit të kësaj agjencie.

Agjencia e Lajmeve KosovaPress është themeluar më 4 janar 1999 për të informuar opinionin publik vendor dhe ndërkombëtar për Luftën e Kosovës. Gjatë luftës, KosovaPress ka transmetuar lajme në shqip, anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht, ndërsa nga shtatori i vitit 2000 si një agjenci e pavarur i vazhdon punimet në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze./aa