Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Linda Thomas-Greenfield, përsëriti kërkesën e shtetit të saj që Kosova të pezullojë zbatimin e vendimit të BQK-së.
“Vendimi është marrë pa përgatitjen e duhur apo konsultime me popullatën lokale. Ne edhe një herë kërkojmë që zbatimi i rregullores të pezullohet derisa të ndërmerren të gjitha procedurat në linjë me standardet evropiane dhe praktikat e qeverisjes së mirë, dhe që popullata e prekur të informohet mirë për procesin”, tha ajo.
Ambasadorja Thomas-Greenfield, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të mos ndërmarrin veprime përshkallëzuese dhe t’i kthehen dialogut.
“Ne u bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet e pakoordinuara dhe përshkallëzuese dhe u bëjmë thirrje të kthehen në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, që SHBA-ja vazhdon ta mbështesë fuqishëm”, tha ajo.
Ambasadorja amerikane u ndal edhe te sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, kur një grup i armatosur serbësh sulmuan Policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor. Gjatë përleshjeve që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Thomas-Greenfield qortoi Serbinë se ende nuk ka mbajtur përgjegjës personat e përfshirë në sulm, përfshirë edhe Millan Radoiqin, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin.
“Katër muaj kanë kaluar që nga sulmi dhe Serbia ende nuk ka mbajtur përgjegjës të përfshirët në planifikimin dhe ekzekutimin [e sulmit në Banjskë]. Lideri i vetëshpallur i sulmit është i lirë në Serbi”, tha Thomas-Greenfield.
Sa i përket Banjskës, Vuçiq tha se Serbia ka nisur procedurat hetimore dhe se do të ketë aktakuza ndaj personave përgjegjës.
Kosova e fajëson Serbinë për këtë sulm, të cilin e konsideron terrorist, dhe ka kërkuar edhe që Serbia të ekstradojë në Kosovë Radoiçiqin, i cili ka qenë nënkryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – në kohën e sulmit, por që njoftoi dorëheqjen nga kjo parti në ditën kur mori përgjegjësinë për sulmin.
Përfaqësuesi i Francës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Nicolas de Rivière, ka kërkuar që Serbia t’i vë para drejtësisë fajtorët e sulmit të 24 shtatorit në Banjskë.
“I dënojmë sulmet në Banjskë, kërkojmë që Serbia t’i vë fajtorët para drejtësisë”, ka thënë përfaqësuesi francez”, ka thënë përfaqësuesi francez.
Por ai ka kërkuar Kosovës për rregulloren e BQK-së, ku përfshihet edhe dinari.
“Ky do të ketë pasoja negative në jetën e përditshme të serbëve. Franca thekson thirrjen për pezullimin e vendimit menjëherë që të mundësohet një periudhë e tranzicionit”, ka thënë përfaqësuesi francez.
Përfaqësuesi i Mbretërisë së Bashkuar në Këshill të Sigurimit të OKB-së ku po diskutohet për Kosovën tha se janë tre hapa të menjëhershëm që duhet të ndërmerren nga Kosova dhe Serbia.
Për vendimin e BQK-së që përjashton dinarin, Mbretëria e Bashkuar tha se ky institucion ka kërkuar të zbatojë atë që e ka në përgjegjësi, ndërkaq tha se Qeveria e Kosovës tregoi vëmendje të paktë për ndikimin që ky vendim ka pasë te serbët.
“Tre hapa të menjëhershëm; Kosova dhe Serbia të zbatojnë zotimet e tyre dhe të shmangin veprimet e njëanshme apo retorikën që mund të dëmtojnë perspektivën e normalizimit të marrëdhënieve. Së dyti, Kosova duhet të ushtrojë pushtetin e vet sovran në përputhje me vizionin e demokracisë shumetnike që është ngulitur mu në zemër të Kushtetutës së Kosovës. BQK ka kërkuar të zbatojë përgjegjësitë e veta për rregullimin e valutave të huaja, por që implementimi i këtyre masave nga Qeveria e Kosovës ka treguar vëmendje të paktë për sa i përket ndikimit në komunitetin serb. Autoritetet e Kosovës duhet të bëjnë një plan të qartë për të siguruar që të gjithë serbët të vazhdojnë t’i marrin të ardhurat dhe që shërbimet themelore të vazhdojnë të funksionojnë derisa të gjendet një zgjidhje e gjithanshme”.
Ai tha se Mbretëria e Bashkuar i bën thirrje Serbisë që ata që janë përgjegjës për sulmin në Banjska të mbahen përgjegjës.
Në fillim përfaqësuesi britanik tha se “java e ardhshme është përvjetori I 19-të I pavarësisë së Kosovës. MB mirëpret progresin që ka bërë si shtet sovran. Për shumë vite, mungesa e marrëdhënieve normale mes Kosovës dhe Serbisë ka pasë implikime në gjithë stabilitetin e rajonit për komunitetet në të dyja shtetet. Tensionet aktuale e ritheksojnë rëndësinë që Kosova dhe Serbia t’i përkushtohen edhe më fuqimisht dialogut të lehtësuar nga BE dhe të bëjnë progres”.
Në fund, ai tha se duhet të ketë stabiliteti rajonal dhe “një mjedis nxitës që mundëson përparim të mëtejmë të dialogut të BE-së”.