Çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës duhet të shqyrtohet më vonë, ka thënë ministri francez për Çështje Evropiane, Jean-Noel Barrot, pasi sipas tij në këtë fazë ekziston rreziku që çështja e Kosovës të shkaktojë përçarje ndërmjet shteteve në KiE.

Para seancës së Komitetit të Ministrave, ministri Jean-Noel Barrot tha se Franca është një nga anëtarët e Këshillit të Evropës që e njeh Kosovën dhe beson se në të ardhmen Kosova do të jetë pjesë e KiE-së.

“Megjithatë, Franca beson se në këtë drejtim, Kosova ka një rrugë të caktuar për ta kaluar dhe Franca është në dispozicion për ta shoqëruar Kosovën në atë rrugë”, tha Barrot.

Komiteti i Ministrave është mbledhur sot në Strasburg, derisa çështja e anëtarësimit të Kosovës ka mbetur jashtë agjendës.

Kosovës i është kërkuar dërgimi i draftstatutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim.

Ndërsa ekzekutivi kosovar të enjten i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se është duke përgatitur draftstatutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

Në një letër të përbashkët, kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron i drejtohen kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit me një përgjigje të prerë duke i thënë se nuk do të pranohet kërkesa, nëse nuk do të ketë asociacion.

/KosovaPress/