Kryetari i Bashkisë së Shijakut, Elton Arbana ka bërë të ditur se së shpejti pritet të nisë ndërtimi i stadiumit të ri të Erzenit.

Arbana shprehet se “kemi bërë përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm të tokës për ndërtimin e stadiumit të ri të K.F. Erzeni, i cili pritet të fillojë së shpejti”.

“Pas mbarimit të rindërtimit, kur Shijaku i është rikthyer normalitetit, prioritet i imi si kryebashkiak është zhvillimi i mëtejshëm i kulturës dhe sporteve, si një qytet që ka traditë të hershme në këto dy fusha”, thekson Arbana në një postim në rrjetet sociale.

Arbana shton se Bashkia e Shijakut është angazhuar plotësisht që tifozët të mund të ndjekin ndeshjet e Erzenit në impiantin e ri në stadium me një kapacitet përreth 4000-4500 persona.

“Falë Partisë Socialiste dhe mbështetjes së Kryeministrit Rama, Shijaku i vitit 2030 do të jetë një qytet me zhvillim europian. Jam besimplotë se projekti i stadiumit të ri do të jetë edhe një shtysë më shumë për objektivin për të pasur një ekip konkurues dhe fitues që luan “në shtëpinë e vet” me një mbështetje të madhe nga tifozët e tij të zjarrtë. Ku ka vullnet, ka zgjidhje”, shprehet Arbana./ata