Situata epidemiologjike, ku qarkullojnë shumë viruse, si fruth, grip apo viroza të tjera ka bërë që prindërit t’i drejtohen qendrave shëndetësore për vaksinimin e fëmijëve.
Doktoreshë Jonida Diko, mjeke pranë qendrës shëndetësore numër 10, tha për ATSH-në se “gjatë muajit janar në qendrën tonë 256 fëmijë, ku 142 janë të grupmoshës 1 vjeç dhe 114 fëmijë të grupmoshës 5 vjeç kanë kryer vaksinën MMR kundër fruthit”.
“Për muajin shkurt deri më tani janë vaksinuar gjithsej 45 fëmijë me vaksinën e fruthit MMR ku 21 fëmijë janë grupmoshës 1 vjeç dhe 24 fëmijë të grupmoshës 5 vjeç”, tha Diko.
Mjekja Diko bën të ditur gjithashtu se janë kryer 3 analiza serologjike për kundërtrupa IgM ndaj fruthit ku të tre pacientët kanë rezultuar negativ.
Mjekja Diko theksoi se “shenjat e fruthit janë temperaturë dhe rash makulo – papular që zgjat deri në 3 ose më shumë ditë. Pacienti mund të ketë dhe kollë, rinit, konjuktivit”.
Sipas saj, rrugët e transmetimit janë kur i prekuri nga fruthi kollitet, teshtin apo flet, mikrobet e infektuara që lëshohen në ajër prej tij mund të infektojnë personat e tjerë përreth.
“Një ndër rrugët e transmetimit janë edhe sipërfaqet e kontaminuara: tavolina, karrige, dyer, etj, duke qëndruar aktive dhe rrezik për infektim në rast kontakti deri në 2orë. Pra, mund të infektoheni me këtë virus nëse prekni me gishta këto sipërfaqe të kontaminuara dhe më pas i fusni në gojë, në hundë apo fërkoni sytë””, shtoi mjekja Diko.
Mjekja Diko i bën apel prindërve që të mbrojnë fëmijët duke i vaksinuar ata kundër fruthit.
“Fruthi mund të bëhet një sëmundje serioze në rast të mosvaksinimit me vaksinën MMR. Ti e ke fuqinë për të mbrojtur fëmijën tënd”, tha Diko./ata