Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka bërë të ditur sot realizimin me sukses të një ndërhyrjeje komplekse dhe të vështirē kirurgjikale në Spitalin Universitar të Traumës.

Duke e cilësuar një rast suksesi, Koçiu deklaroi se 5 vjeçari u paraqit në gjendje shoku me dëmtime tepër të rënda nga një mjet bujqësor.

Ajo shton se operacioni i vështirë u krye nga një ekip multidisiplinar..

Ministrja Koçiu nënvizon se “falë kushteve të posaçme spitalore dhe aparaturave mjekësore si, imazheria e avancuar, implantet që përdoren në kirurgjinë ortopedike dhe atë vaskulare, pajisjeve të avancuara të anestezisë, u bë e mundur shpëtimi i jetës së fëmijës, trajtimin intensiv dhe rekuperimi me sa më pak pasoja traumatike pranë Shërbimit të Ortopedisë të Traumës”.

“Mirënjohje ekipit mjekësor të Spitalit Universitar të Traumës për profesionalizmin, gatishmërinë dhe përkushtimin, Dr. Ervin Sulaj, Dr. Flamur Vellku, Dr. Tahir Çela, Dr. Edmond Faber, Dr. Medien Xhaferri”, shprehet ministrja në një postim në rrjetet sociale krahas videos së publikuar.

Mjeku Ortoped, Tahir Çela, thotë se rasti ishte tejet kompleks. “Është një traumë shumë komplekse, trajtimi i të cilës kërkon bashkëveprimin e një ekipi të tërë mjekësor, dhe të një strukture mjekësore. Trajtimi i tij u bë i mundur në sajë të bashkëpunimit të ekipeve mjekësore të Traumës, si dhe reagimit në kohë të urgjencës së Traumës. Struktura aktualisht na e lejon kryerjen e operacioneve të tilla dhe në kohë shumë të shpejt siç e kërkon rasti konkretë”, theksoi mjeku Çela.

Mjeku Flamu Vellku bëri me dije se 5-vjeçari do të transferohet tek kirurgjia plastike tek Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. “Gjendja e fëmijës pas operacionit është e stabilizuar, jashtë rrezikut për jetën. Nga ana kirurgjikale ka vajtur shumë mirë. Nga ana organike, pacienti paraqitet i stabilizuar dhe pa probleme. Pas kësaj faze, do të transferohet tek në seksioni i Kirurgjisë Plastike tek Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, për të marrë trajtimin e duhur, sa i takon mungesës së lëkurës dhe kërcirit”,  është shprehur mjeku Vellku./ata