Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu tha se përpara sulmit të mundshëm tokësor ndaj qytetit Rafah do të sigurohet "kalim i sigurt" për qindra mijëra palestinezë që janë strehuar në qytet.

Duke folur për ABC News amerikan, Netanyahu mbrojti idenë se po punojnë mbi një "plan të detajuar" për kalimet e sigurta dhe vendin ku do të evakuohen mbi 1 milion banorë të Gazës që janë larguar nga sulmet izraelite dhe janë strehuar në Rafah.

Ndaj thirrjeve të bëra nga shumë vende dhe organizata që Izraeli të mos pushtojë qytetit Rafah, Netanyahu tha: "Ata që thonë të mos hyjmë në Rafah në asnjë rrethanë, në të vërtetë thonë humbni luftën".

Duke përsëritur se do të sulmojnë qytetin Rafah në kufi me Egjiptin, të cilin ai e përcaktoi si bastion të fundit të Hamasit në Gaza, Netanyahu nuk dha informacion të detajuar se kur do të kryhet sulmi tokësor.

- Sinjalet nga Izraeli për sulm ndaj qytetit Rafah

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant në deklaratën e tij gjatë vizitës së trupave izraelite në rajonin Khan Younis të Rripit të Gazës më 1 shkurt, tha se ata do të zhvendosnin sulmet e tyre tokësore në qytetin Rafah.

Gjithashtu edhe kryeministri izraelit Netanyahu në deklaratën e tij më 4 shkurt sinjalizoi se do të fillojnë sulm tokësor në qytetin Rafah.

Televizioni shtetëror izraelit KAN më 6 shkurt në lajmin tij të bazuar në burimet politike, bëri të ditur se qyteti do të evakuohet para se të fillohen operacionet në qytetin Rafah.

Në një deklaratë të bërë më 9 shkurt nga zyra e kryeministrit izraelit, u theksua se Netanyahu ka udhëzuar ushtrinë dhe agjencinë e sigurisë për kryerjen e sulmit në jug të Rripit të Gazës dhe për përgatitjen e planit të nevojshëm për zhvendosjen e rreth 1.5 milion palestinezëve që janë strehuar aty.

- Qyteti Rafah

Qyteti Rafah i cili ndodhet në jug të Rripit të Gazës në kufi me Egjiptin, me strehimin e qindra mijëra njerëzve të zhvendosur në qytet për shkak të sulmeve izraelite pret afërsisht gjysmën e popullsisë së Gazës, e cila ka një popullsi prej 2.3 milionë banorësh.

Forcat izraelite shënjestrojnë shpesh me sulme ajrore qytetin Rafah. Ka shqetësim se civilët nuk do të kenë strehë në Rripin e Gazës nëse Izraeli do të nisë sulm tokësor në qytetin Rafah./aa