Virozat e stinës edhe gjatë muajit shkurt vijojnë të prekin qytetarë të grupmoshave të ndryshme.
Doktoreshë Jonida Diko, mjeke pranë qendrës shëndetësore numër 10, tha për ATSH-në se “në thuajse gjysmën e parë të muajit shkurt ka pasur një numër të lartë vizitash ku 221 pacientë të grupmoshave nga 0 deri +65 vjeç kane pasur infeksione të sipërme respiratore (laringit,tonsilit etj) dhe 132 pacientë kanë rezultuar me infeksione të poshtme respiratore (bronkit,bronkopneumoni etj)”.
“Për muajin shkurt janë kryer 4 Ili-Sari të dyshuar grip ku 3 kanë rezultuar pozitiv për grip dhe 1 ka rezultuar negativ. Grupmosha më e prekur është 35 – 65 vjeç”, tha Diko.
Kryesisht simptomat e virozëve stinore janë hundë të zëna, tharje fyti, kollë, temperaturë, lodhje, dhimbje koke, të vjella dhe diarre.
“Në qendrën tonë janë kryer 53 Rapid Teste të dyshuara për Covid – 19 ku 4 pacientë kanë rezultuar pozitivë dhe 49 negativë. Grupmosha më e prekur është 44-65 vjeç”, shtoi Diko.
Mjekja Diko u shpreh se “simptomat më të shpeshta të Covid-19 janë temperaturë ose ethe, kollë, dhimbje trupi, dhimbje koke, vështirësi në frymëmarrje etj. Për konfirmim të diagnozës duhen kryer testet laboratorike”.
Mjekja Diko këshillon të konsumojnë sa më shumë lëngje, antigripe, fruta dhe perime, si dhe të kenë kujdes higjienën duke larë shpesh herë duart./ata