9️ njësi të Lëvizshme të Asistencës Mjekësore në territor, janë pozicionuar në sheshet qendrore të qyteteve.

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu shpreh sot se, këto njësi janë në gatishmëri për t’ju përgjigjur emergjencave shëndetësore, në këto ditë të valës së të nxehtit.

 

Ajo gjithashtu ndau 4 rregulla që duhet të ndjekin qytetarët për të përballuar sa më mirë këto ditë të nxehta.

 

Si të mbrohemi dhe të ruajmë shëndetin gjatë ditëve të nxehta të verës

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale këshillon qytetarët të shmangin daljen nga shtëpia gjatë orëve më të nxehta të ditës, duke evituar ekspozimin në diell në pikun e temperaturave nga ora ‪11:00 deri në ‪18:00.

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, bazuar në rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik, ju bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes në situatat e të nxehtit ekstrem:

 

Këshillohet që qytetarët të mbajnë shtëpinë të freskët dhe temperatura e ambientit duhet të mbahet nën 32°C gjatë ditës dhe 24°C gjatë natës.

 

Këshillohet të vishen rroba të lirshme, me materiale pambuku.

 

Të pihet rregullisht ujë dhe lëngje deri në 2 L dhe shmanget alkooli, kafet e tepërta dhe sheqeri.

 

Rekomandohet të konsumoni ushqim në racione të vogla dhe shpeshherë.

 

Tregoni vëmendje në përgatitjen dhe ruajtjen e ushqimit. Temperaturat e larta favorizojnë prishjen e ushqimit, rrisin rrezikun e diarreve dhe të vjellave, si dhe helmimin nga ushqimi.

 

Për personat që përdorin medikamente, të mos e ndërpresin apo ndryshojnë atë, pa u konsultuar me mjekun përkatës.

 

Rekomandohen dushe të shpeshta me ujë të vakët.

 

Duhet të shmangen aktivitetet fizike me intensitet të lartë.

 

Ajrosni makinën nëse është për një kohë të gjatë në diell, duke hapur dyert dhe nëpërmjet kondicionerit para se të lëvizni me të. Përdorni pajisjet e ruajtjes nga dielli dhe mos i lini fëmijët vetëm në makinë.

 

Ndihmoni të tjerët. Kontaktoni me familjarët, miqtë dhe fqinjët të cilët jetojnë vetëm, pasi në ditët e nxehta mund të kenë nevojë për asistencë.

 

Grupet më të rrezikuara ndaj temperaturave të larta janë: Të moshuarit. Foshnjat dhe fëmijët e vegjël. Individët të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike si: Sëmundjet kardiovaskulare. Diabeti, thyreotoksikoza. Sëmundja pulmonare obstruktive kronike (SPOK). Sëmundjet mendore. Sëmundjet e veshkave, insuficienca renale, gurët në veshka etj. Gratë shtatzëna.

 

Të gjithë ata që vuajnë nga sëmundje kronike duhet të konsultohen me mjekun e familjes apo me specialistin për të përballuar sa më mirë temperaturat e larta të stinës së verës.

 

Për çdo emergjencë shëndetësore kontaktoni 127.

 

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Socialeme fton qytetarët të mbështeten në rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik,  për të parandaluar rrezikun e të nxehtit për të gjithë popullatën, sidomos për fëmijët, adoleshentët dhe të moshuarit.

 

Mbani shtëpinë të freskët!

 

Mbani të freskët ambientin ku qëndroni. Temperatura e ambientit ku qëndroni duhet të mbahet nën 32°C gjatë ditës dhe 24°C gjatë natës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për të porsalindurit, për personat mbi 60 vjeç, apo për ata që kanë probleme shëndetësore kronike.

 

Freskoni shtëpinë gjatë natës. Hapni të gjitha dritaret dhe grilat gjatë natës dhe ndaj të gdhirë, atëherë kur temperatura e jashtme ulet.

 

Mundohuni të ulni temperaturën në shtëpi. Mbyllni grilat dhe dritaret, veçanërisht ato që rrihen nga dielli.

 

Qëndroni të hidratuar

 

Pini të paktën dy litra ujë në ditë dhe sa më shumë lëngje. Konsumoni fruta të bollshme dhe perime të freskëta.

 

Fëmijët duhet të pijnë ujë, por jo të ftohtë, ujë ambienti në sasi të vogla, ngadalë dhe shumë herë në ditë; shmangni pijet e gazuara. Fëmijët që ushqehet vetëm me gji deri në 6 muaj, edhe pse është nxehtë nuk kanë nevojë për ujë, sepse e marrin nga qumështi i gjirit. Nëse fëmija ka temperaturë, ai ka nevojë për më shumë ujë. Nëse fëmija ka bark edhe të vjella, duhet t’i jepni lëngje, kryesisht ujë natyral të pastër dhe supë me zarzavate.

 

Rekomandohet larja mirë e të gjitha frutave, perimeve dhe ushqimeve që konsumohen të pagatuara, duke treguar kujdes që ato të mos kenë kontakt me ushqime të tjera apo sipërfaqe të pista të punës, për të shmangur rrezikun e ndotjes që është më i lartë në ditët e nxehta.

 

Ushqehuni shëndetshëm!

 

Në ditët e nxehta ju duhet të evitoni pijet alkoolike, kafet e tepërta dhe ushqimet me përmbajtje sheqeri të lartë.

 

Duhet të konsumoni ushqim në racione të vogla dhe shpesh herë gjatë ditës. Përgatisni ushqime sa më të freskëta dhe të lehta, me përmbajtje të lartë uji, si dhe fruta e perime.

 

Tregoni vëmendje në përgatitjen dhe ruajtjen e ushqimit. Gjatë muajve të verës rreziku i helmimit nga ushqimet rritet, pasi bakteret zhvillohen shpejt në kushte të ngrohta dhe me lagështi.