Në bashkinë e Matit po zbatohet projekti për ndërtimin e rrjetit të kanalizimeve të ujërave të ndotura dhe impiantin e trajtimit të tyre. Projekti përfshin qytetin e Burrelit dhe zonat periferike të tij duke i dhënë zgjidhje një problematike shumëvjeçare për këtë zonë.

Projekti parashikon shtrimin e rreth 24 kilometrave linjë të kanalizimeve, 300 puseta për disiplinimin e ujërave të ndotura dhe shtrimin e rrjeteve sekondare dhe terciale.

Kryeministri Edi Rama ndau foto nga inspektimi në terren i punimeve të zëvendëskryeministres, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me administratorin e AKUK, Klevis Jahaj dhe kryebashkiakun e Matit, Agron Malaj.

“Vijon puna për ndërtimin e rrjetit të ri të kanalizimeve dhe impiantit të ujërave të ndotura në Burrel, një investim i rëndësishëm që zgjidh një gangrenë të vjetër mjedisore, nga i cili përfitojnë të gjithë banorët e Matit, por edhe turistët që zgjedhin të frekuentojnë këtë zonë të bukur të veriut”, u shpreh Rama në rrjetet sociale.

Aktualisht zona periferike e Burrelit dhe fshati Muzhak largimin e ujërave të ndotura e bën ndërmjet gropave septike, të ndërtuara jashtë kushteve teknike, ndërsa pjesa tjetër përmes kanaleve të hapura të cilat paraqesin një rrezik të vazhdueshëm. Me investimin që po bëhet kjo problematikë merr zgjidhje./ata