Molla është një nga produktet identifikuese të prodhimit bujqësor në qarkun e Korçës, ku sipërfaqja e mbjellë me të është rreth 4000 ha.
Prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole tha sot se “janë rreth 8000 familje që merren me kultivimin e mollës, ose rreth 20 mijë fermerë”.
Teksa zhvilloi një vizitë në pikën e grumbullimit të Irjat Ibos, në fshatin Vranisht të bashkisë Devoll, Jole tha se “Ibo është një nga grumbulluesit më të njohur të zonës, i cili disponon një frigorifer me kapacitet 200 tonë”.
“Ai ka grumbulluar varietetet e mollëve (Gold, Starking, Fuji dhe Granny Smith) nga fermerët e zonës, duke siguruar edhe kontratat për shitjen e tyre në tregun vendas”, tha Jole.
Prefekti Jole së bashku me Ylver Bylykbashin, një agronom me përvojë shumë të gjatë në fushën e pemëtarisë e frutave (sidomos mollëve), nënprefektin Henrik Rusi dhe Drejtorin e Bujqësisë në bashkinë Devoll, Lisandër Çuko biseduan me Irjat Ibo, i cili u shpreh i kënaqur nga prodhimi i sivjetshëm dhe vit pas viti kërkon e vlerëson mundësitë për të ulur kostot e mirëmbajtjes e të magazinimit, për të rritur më shumë fitimin për aktivitetin e tij si grumbullues.
“Bashkimi i fermerëve shton mundësitë e mbështetjeve më të plota nga skema kombëtare dhe grantet e BE-së, përmirëson cilësinë e prodhimit dhe rrit të ardhurat”, tha Jole.
Në Shqipëri dy janë zonat që regjistrojnë prodhimin më të lartë të mollëve në vend: Korça dhe Dibra. Varietetet që prodhohen më së shumti në vend janë dy derivatet e Red Chief dhe Starking, që përbëjnë 52% të pemëve drurëve frutorë dhe Golden Delicious që përbëjnë 42%.
Varietetet e tjera të mollëve përbëjnë 6% të pemëve të tjera frutore. Këtu përfshihen dhe lloje të tjera, që nuk janë të varieteteve tradicionale rritur në rajon, si “Gala”, “Mutsu” dhe “Granny Smith”./ata