Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu bëri të ditur sot se pas Qendrës së parë Spitalore Rajonale “Shefqet Ndroqi” po punohet për të ngritur një tjetër model ekselent binjakëzimi midis Spitalit Bashkiak Kuçovë me Spitalin Rajonal të Beratit.

Gjatë vizitës në Spitalin Bashkiak të Kuçovës, Koçiu tha se ky model binjakëzimi do të mundësojë shërbime të specializuara pranë vendbanimit.

“Qendra Spitalore Rajonale e Beratit do të rrisë miradministrimin e burimeve njerëzore si dhe shërbime shëndetësore më të shpejta dhe cilësore nga një staf mjekësh dhe infermierësh të përkushtuar në shërbim të qytetarëve”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu inspektoi gjithashtu sot punimet për rikonstruksionin e Urgjencës të Spitalit të Kuçovës, pavijon i cili do të ofrojë brenda pak javësh shërbim me standarde bashkëkohore për rreth 50 mijë qytetarë./ata