Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi mori pjesë sot në tryezën e rrumbullakët “World Government Summit 2024”, që po mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Agjenda e tryezës fokusohet në formimin e një të ardhmeje më të mirë për njerëzimin, ku liderë, ekspertë globalë dhe vendimmarrës nga e gjithë bota mblidhen për të shkëmbyer ide e përvoja dhe për të kontribuar në zhvillimin e politikave dhe modeleve që janë thelbësore në formimin e qeverive të ardhshme.

Temat e diskutimit në tryezën e rrumbullakët përfshin si sektorin publik edhe atë privat duke u ndalur tek infrastruktura, energjia, mirëqenia, shëndetësia, por edhe shumë fusha të tjera.

Ministrja Muzhaqi theksoi rëndësinë e kontributit të të rinjve, fuqizimin dhe angazhimin e tyre për përmbushjen e këtyre objektivave.

Pas ndërhyrjes së ministres Muzhaqi për fushën e saj të përgjegjësisë, rinia u kthye në temën kryesore të bisedimeve.

Ministrja Muzhaqi sugjeroi se të rinjtë duhet të përfshihen në të gjithë procesin e vendimmarrjes për objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, me qëllim që ata vetë të zbatojnë këto objektiva për gjeneratën e ardhshme.

Përsa i politikbërjes rinore në Shqipëri, Muzhaqi ndau me të pranishmit gjithëpërfshirjen e të rinjve për hartimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029.

“Të rinjtë kanë qenë pjesë aktive në hartimin e Strategjisë Kombëtare të Rinisë 2022-2029, pra është hartuar nga të rinjtë për të rinjtë, duke marrë parasysh kërkesat dhe nevojat e tyre, të konvertuara tashmë në një dokument strategjik për përmirësimin e jetesës së të rinjve”, u shpreh Muzhaqi.

Më tej, ministrja njohu të pranishmit me strukturat e ngritura në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar për përfshirjen e të rinjve shqiptarë në politikëbërje, të cilat synojnë njëherazi edhe fuqizimin, edukimin dhe mirëqenien e të rinjve.

“Në nivel lokal, janë ngritur Këshilla Vendorë Rinorë në të 61 bashkitë. Në nivel kombëtar, është ngritur Këshilli Kombëtar Rinor, ndërsa në nivelin ndërkombëtar të rinjtë kanë përfaqësuar Shqipërinë në Asamblenë e Përgjithshme të 77&78 të Kombeve të Bashkuara, në Konferencën e 28 të Ndryshimeve Klimatike, dhe që nga viti 2016 përfaqësojnë interesat e rinisë shqiptare në Ballkanin Perëndimor nëpërmjet një përfaqësuesi në bordin drejtues të Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor”, tha Muzhaqi.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Muzhaqi u ndal edhe në tema të tjera të rëndësishme, siç është fokusi te kapitali njerëzor dhe zhvillimi i këtij kapitali duke u përshtatur me teknologjitë e reja, pa lënë mënjanë inteligjencën artificiale dhe inovacionin./ata